back to top
24.2 C
Tirana
E enjte, 18 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetPolitikaArta Dade bojkoton festën e PS/ "Socialistët e vërtetë janë në protestë"

Arta Dade bojkoton festën e PS/ “Socialistët e vërtetë janë në protestë”

Ish-deputetja dhe ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade, ka refuzuar ftesën e kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar në sheshin “Italia” me rastin e 35-vjetorit të themelimit të PS-së.

Në një reagim për gazetën Dita, Dade ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj organizimit të këtij aktiviteti, të cilin e cilëson si një “antimiting” të thirrur nga lart. Sipas saj, socialistët e vërtetë nuk ndodhen në aktivitetet e organizuara nga strukturat e partisë, por në sheshin ku prej ditësh të rinjtë protestojnë për dinjitet, barazi dhe të drejta sociale.

Ish-ministrja thekson se Partia Socialiste nuk ka qenë historikisht një forcë politike e kundërprotestave, por një parti që ka lindur si “avangardë e ndryshimit” dhe që ka luajtur rol të rëndësishëm në momentet kyçe të historisë politike të vendit.

Në deklaratën e saj, Dade shpreh kritika të forta ndaj mënyrës së funksionimit të PS-së sot, duke folur për atë që e quan “tjetërsim” të partisë. Ajo akuzon drejtimin aktual për korrupsion, klientelizëm dhe arrogancë të pushtetit, ndërsa vlerëson se protesta e të rinjve nuk është kundër së majtës, por përfaqëson kërkesa sociale dhe nevojën për rikthimin e vlerave të saj themelore.

Dade ka kritikuar gjithashtu edhe ish-funksionarë të Partisë Socialiste që, sipas saj, po i bashkohen aktivitetit të organizuar nga drejtuesit e partisë. Ajo i akuzon ata se po veprojnë për interesa personale dhe jo mbi baza parimore apo ideologjike.

Në reagimin e saj, ish-ministrja kujton përballjet politike të socialistëve ndër vite, duke përmendur vitet 1992, 1994, 1997 dhe protestën e 21 Janarit, ndërsa shprehet se Partia Socialiste ka qenë gjithmonë në krah të qytetarëve dhe kauzave sociale.

Në përfundim, Dade bën thirrje për një ringritje të së majtës shqiptare mbi vlerat e saj tradicionale, duke kërkuar një forcë politike me moral, integritet dhe afër qytetarëve.

“Shqipëria ka sot nevojë për një të majtë të rilindur mbi idealet e saj fillestare. Ka nevojë për një organizatë politike me moral, me integritet dhe me sytë nga populli. Ora e këtij rikthimi ka trokitur”, shprehet ajo.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat