Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zhvilluar një operacion të gjerë kundër një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik të lëndëve narkotike dhe pastrim të produkteve të veprës penale përmes aktiviteteve të biznesit.
Sipas burimeve hetimore, në qendër të skemës së dyshuar të pastrimit të parave ndodhen disa biznesmenë, mes tyre edhe Artur Shehu, emri i të cilit lidhet me investime dhe transaksione të konsiderueshme në zonën e Zvërnecit.
Në bazë të një vendimi gjyqësor të datës 10 qershor, SPAK ka ekzekutuar masa sekuestrimi mbi asete dhe fonde që kapin vlerën e rreth 128 milionë eurove. Mes subjekteve të prekura nga masa është edhe kompania “Albanian Land Development”, ku një nga administratorët me të drejtë përfaqësimi është Redi Struga.
Hetuesit dyshojnë se fondet e sekuestruara lidhen me transaksione të ndryshme për shitblerjen e tokave në zonën e Zvërnecit, një prej projekteve më të diskutuara të zhvillimit turistik në vend.
Burime pranë hetimit bëjnë të ditur se një rol kyç në zbardhjen e çështjes kanë luajtur përgjimet e realizuara nga SPAK ndaj grupit të dyshuar kriminal të vëllezërve Koçeku. Sipas të njëjtave burime, bisedat e përgjuara kanë ndihmuar në dokumentimin e aktivitetit kriminal dhe në identifikimin e skemës së dyshuar të pastrimit të parave.
Nga hetimet paraprake rezulton se kompania “Albanian Land Development” ka shërbyer si ndërmjetëse në raportet me kompanitë e vëllezërve Al-Kajat nga Katari, të përfshira në projekte investimi në zonën bregdetare të Zvërnecit.
Mes personave të arrestuar në kuadër të operacionit është edhe Orgest Biçaj, i njohur si pronar i kompanisë së tregtimit të automjeteve “Top Seven”. Burimet bëjnë me dije se SPAK ka vendosur nën verifikim dhe sekuestrim një pjesë të automjeteve të kompanisë, në kuadër të hetimeve për pastrim parash dhe gjurmimin e aseteve që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal.
Hetimet vijojnë, ndërsa SPAK pritet të zbardhë detaje të tjera mbi rolin e personave dhe kompanive të përfshira në këtë dosje të bujshme.



