Kryeministri Edi Rama është përfshirë në një debat gjatë një interviste në Top Channel, e cila nuk ka arritur të përfundojë, pasi ai është larguar në mënyrë të nervozuar pas pyetjeve të drejtuara nga moderatorja Sidorela Gjoni.
Debati ka lindur gjatë emisionit “Shqipëria Live”, ku ndër të tjera janë ngritur pyetje mbi protestën e qytetarëve në Tiranë dhe mbi detaje të projektit në Zvërnec, duke përfshirë edhe referenca të bëra ndaj deklaratave të Ivanka Trump për investimet në Sazan dhe konceptin e “ishullit privat”.
Gjatë intervistës, Rama është përpjekur të ruajë qetësinë, ndërsa ka mbajtur një ton më të moderuar në lidhje me protestat qytetare, të cilat në deklarata të mëparshme i ka shoqëruar me etiketime të forta.
“Çfarë problemi ka që zhvillohen protestat? Janë pjesë e jetës demokratike… protestat nuk maten me numra, por me kauzën dhe qëllimet,” u shpreh Rama, duke shtuar se fakti që PS ka marrë shumicën në zgjedhje nuk përjashton të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
Kryeministri theksoi gjithashtu se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, duke deklaruar se është i lidhur me një “kontratë me shqiptarët” që do ta respektojë deri në fund të mandatit.
“Konkretisht unë kam një kontratë me shqiptarët dhe do ta respektoj deri në fund, nuk diskutohet,” u shpreh ai.
Intervista është ndërprerë para kohe, ndërsa largimi i kryeministrit ka lënë të paqartë vijimin e debatit në studio.



