back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 30 Prill, 2026
spot_img
KreuDrejtësia“Biznes” me të sëmurët me kancer/ Prokuroria çon në gjyq zyrtarë e...

“Biznes” me të sëmurët me kancer/ Prokuroria çon në gjyq zyrtarë e mjekë të QSUT

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim gjashtë persona, mes tyre zëvendësdrejtoresha, koordinatorë, mjekë e specialistë të Spitalit Onkologjik në QSUT, si dhe administratori i një kompanie farmaceutike.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”, sipas neneve përkatëse të Kodit Penal.

Skema e zbuluar: Orientimi i pacientëve drejt privatit

Sipas hetimeve, është dokumentuar një skemë abuzive ku pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale nuk merrnin trajtimin e duhur në sistemin publik, por orientoheshin drejt klinikave private.

Prokuroria thotë se në disa raste ndërhyrjet kirurgjikale dhe shërbimet mjekësore kryheshin në privat kundrejt tarifave të larta, ndërkohë që këto shërbime duhet të ofroheshin falas në spitalin shtetëror.

Emrat e të pandehurve

Personat e dërguar për gjykim janë:

  • Emiljano Lela
  • Alketa Pere
  • Brikena Qirjazi
  • Drilona Kishta
  • Halil Gashi
  • Florian Marku
Roli i secilit 

Hetimet kanë provuar se Emiljano Lela, në cilësinë e koordinatorit në Onkologjik, ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në përzgjedhjen e pacientëve, duke i orientuar ata drejt klinikave private për përfitime financiare.

Ndërsa Alketa Pere, administratore në këtë shërbim, akuzohet se ka dërguar pacientë drejt sektorit privat në kundërshtim me rregullat ligjore dhe procedurat mjekësore.

Për Brikena Qirjazin, zëvendësdrejtoreshë në QSUT, Prokuroria thotë se nuk ka marrë masat për funksionimin e pajisjeve jetike, duke cenuar ofrimin e shërbimit për pacientët.

Nga ana tjetër, specialistja Drilona Kishta akuzohet për hartimin e një ekspertize jo të saktë lidhur me menaxhimin e burimeve radioaktive, duke sjellë pasoja ekonomike dhe funksionale për institucionin.

Aparatura e rrezikshme dhe jashtë standardeve

Një nga elementët më shqetësues të hetimit lidhet me një pajisje të kobalt-terapisë, e instaluar pranë spitalit onkologjik. Sipas Prokurorisë, kjo pajisje nuk është vendosur në kushtet teknike të kërkuara dhe mungon infrastruktura e nevojshme mbrojtëse, si bunkerët antiradioaktivë.

Pajisja, e ardhur në Shqipëri që në vitin 2021, nuk është vënë asnjëherë në funksion dhe është mbajtur në kushte të papërshtatshme, duke paraqitur rrezik potencial për personelin mjekësor për shkak të rrezatimit.

Shkelje financiare dhe barna kontrabandë

Në vijim të hetimeve, rezultoi se Halil Gashi, administrator klinike, nuk ka lëshuar fatura tatimore për shërbimet dhe ndërhyrjet e kryera, si dhe ka lejuar punësim të paregjistruar të mjekëve, duke fshehur të ardhurat.

Ndërsa Florian Marku, administrator i kompanisë farmaceutike “Flori Farma”, akuzohet për tregtim të barnave kontrabandë, konkretisht të një medikamenti të futur në treg pa pullën përkatëse dhe me elementë të dëmtuar identifikimi.

Hetimi dhe ndarja e çështjes

Fillimisht, çështja ishte referuar për shqyrtim në SPAK, për të vlerësuar nëse kishte elementë të korrupsionit të nivelit të lartë. Më pas, materiali u rikthye në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa një pjesë e dosjes u veçua për hetime të mëtejshme ndaj një mjeku për akuzën e korrupsionit pasiv.

Hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 5071 të vitit 2023, në bashkëpunim me strukturat kundër krimit ekonomik dhe financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Me dërgimin e çështjes në gjykatë, pritet që të nisë shqyrtimi gjyqësor për një nga dosjet më të ndjeshme që prek sistemin shëndetësor në vend, ku në qendër janë jo vetëm shkeljet administrative dhe penale, por edhe trajtimi i pacientëve me sëmundje të rënda.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat