Ish-deputetja Monika Kryemadhi ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ka aluduar se zyrtare apo ish-zyrtare të qeverisë të përfshira në hetime nga SPAK mund të përdorin shtatzëninë për t’iu shmangur masave të sigurisë.
Deklarata e Berishës është lidhur nga mediat me ish-zv.kryeministren dhe ish-numrin dy të qeverisë, Belinda Balluku, e cila ndodhet nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. Berisha ka ngritur dyshime se një shtatzëni mund të përdoret si mënyrë për të shmangur një masë më të rëndë sigurie.
Por aleatja e dikurshme e Berishës, Monika Kryemadhi, nuk e ka ndarë të njëjtin qëndrim dhe e ka komentuar me ironi këtë çështje.
Kryemadhi u paraqit sot në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe pas daljes nga institucioni iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me deklaratën e Berishës.
“Me barrë nuk ngel!”, tha ajo me ironi, duke shtuar se raste të tilla mund të jenë thjesht thashetheme, por edhe pretendime që duhen parë me kujdes.
“Unë ju garantoj se me barrë nuk ngel. Sigurisht që njerëzit, për të gjetur mënyra dhe rrugë të ndryshme procedurale, mund të jenë thashetheme, por edhe të vërteta. Sa herë vjen në jetë një foshnjë, është një gjë e mirë. Ndoshta, duke ditur që po shpopullojnë Shqipërinë, po ngrenë një mini-maternitet”, u shpreh Kryemadhi.



