Me 80 vota pro, Kuvendi i Shqipërisë miratoi këtë të enjte shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për anëtarësimin e vendit në Bordin e Paqes, një iniciativë ndërkombëtare të propozuar nga Presidenti amerikan, Donald Trump.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr.45, datë 21 janar 2026, Shqipëria, e përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, do të bëhet pjesë e Kartës themeluese të Bordit të Paqes.
Çfarë është Bordi i Paqes
Bordi i Paqes krijohet si një organizatë ndërkombëtare me personalitet juridik ndërkombëtar, me mision promovimin e stabilitetit, rivendosjen e qeverisjes së ligjshme dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në territore të prekura ose të kërcënuara nga konflikti. Aktiviteti i tij do të zhvillohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Roli i Shqipërisë dhe statusi i anëtarit themelues
Shqipëria parashikohet të ketë statusin e anëtarit themelues, duke i dhënë vendit një rol aktiv në formësimin e vizionit, parimeve dhe arkitekturës vendimmarrëse të Bordit. Qeveria argumenton se kjo pjesëmarrje rrit profilin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe e pozicionon vendin si faktor stabiliteti dhe aktor paqeje, veçanërisht në proceset që synojnë zgjidhjen e konflikteve shumëvjeçare, përfshirë Lindjen e Mesme. Dokumenti thekson gjithashtu këtë zhvillim si një konfirmim të partneritetit strategjik me SHBA-në.
Funksionimi i Bordit
Sipas Kartës, Bordi drejtohet nga një Kryetar dhe ka dy struktura kryesore vendimmarrëse: Bordi i Shteteve Anëtare dhe Bordi Ekzekutiv. Vendimet merren me shumicë votash dhe kërkojnë konfirmimin e Kryetarit, i cili gëzon të drejtën e vetos dhe autoritetin përfundimtar interpretues.
Anëtarësimi bëhet me ftesë dhe ka mandat trevjeçar, me mundësi rinovimi. Përjashtim bëjnë shtetet që kontribuojnë mbi 1 miliard dollarë brenda vitit të parë, për të cilat nuk zbatohet kufiri trevjeçar i mandatit. Karta garanton ruajtjen e sovranitetit të shteteve anëtare, duke përcaktuar se Bordi nuk ka juridiksion brenda territoreve të tyre pa pëlqimin e shprehur.
Financimi dhe imunitetet
Bordi do të financohet përmes kontributeve vullnetare vjetore të shteteve anëtare. Organizata dhe personeli i saj do të gëzojnë personalitet juridik ndërkombëtar, privilegje dhe imunitete të nevojshme për ushtrimin e funksioneve, të rregulluara përmes marrëveshjeve me shtetet pritëse.
Efektet financiare për Shqipërinë
Miratimi i projektligjit nuk sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit në këtë fazë. Në të ardhmen, anëtarësimi do të shoqërohet me kontribute financiare vullnetare, të cilat do të përfshihen në buxhetin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe në planifikimet afatmesme buxhetore 2027–2029.
Zbatimi i marrëveshjes
Për zbatimin e projektligjit ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndërsa për implementimin e marrëveshjes do të përfshihen edhe Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Marrëveshja për themelimin e Bordit të Paqes është iniciativë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbështetet nga rezoluta nr. 2803 (2025) e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.



