back to top
20.9 C
Tirana
E martë, 16 Qershor, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaSekuestrohen 150 mln euro pasuri/ Braho: Nuk do të cenohen investimet e...

Sekuestrohen 150 mln euro pasuri/ Braho: Nuk do të cenohen investimet e ligjshme

Kreu i SPAK, Klodjan Braho, ka reaguar pas operacionit të fundit të Prokurorisë së Posaçme, në kuadër të të cilit u sekuestruan 491 pasuri me një vlerë të përllogaritur prej rreth 150 milionë eurosh.

Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale nga SPAK, Braho theksoi se institucioni do të vijojë goditjen e rrjeteve të krimit të organizuar të përfshira në trafikun e drogës nga Amerika Latine drejt Europës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe të aktivitetit të pastrimit të parave.

“Pasuritë me origjinë kriminale dëmtojnë ekonominë e ligjshme, konkurrencën e lirë dhe veprimtarinë e bizneseve që punojnë në mënyrë të ndershme. Ato rrisin forcën ekonomike të krimit të organizuar dhe përdoren për të financuar veprimtari kriminale”, thuhet në mesazhin e kreut të SPAK.

Braho nënvizoi se pasuritë me origjinë kriminale duhet të sekuestrohen dhe të kalojnë në favor të shtetit për t’u përdorur për qëllime të ligjshme, duke garantuar se veprimet e SPAK synojnë vetëm pasuritë e lidhura me aktivitetin kriminal.

Ai siguroi gjithashtu se në asnjë rast nuk do të cenohen të drejtat e pronësisë së individëve apo subjekteve që kanë krijuar pasuri në mënyrë të ligjshme.

Operacioni i fundit i SPAK çoi në ekzekutimin e masave të sigurisë për 10 persona dhe sekuestrimin e 491 pasurive me vlerë rreth 150 milionë euro, në kuadër të goditjes së një rrjeti të dyshuar ndërkombëtar të trafikimit të kokainës dhe pastrimit të parave.

Ndërkohë, vetëm katër ditë më parë, Prokuroria e Posaçme goditi një tjetër grup kriminal, me në qendër vëllezërit Koçeku, duke sekuestruar pasuri me vlerë mbi 130 milionë euro.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat