Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, prezantoi këtë të hënë në Komisionin Parlamentar të Ligjeve raportin vjetor mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2025, ku evidentohen një sërë problematikash që hedhin dritë mbi vështirësitë me të cilat përballet sistemi i drejtësisë.
Sipas raportit, gjatë vitit të kaluar janë trajtuar 66 397 materiale në shqyrtim, me një rritje prej 8.5% krahasuar me vitin 2024, ndërsa numri i procedimeve penale ka arritur në 50 121. Një tjetër tregues shqetësues është rritja me afro 20% e vendimeve për mosfillim të kallëzimeve dhe referimeve penale.
Raporti i paraqitur nga Çela tregon gjithashtu se vetëm 42.4% e çështjeve të përfunduara janë dërguar për gjykim, ndërsa mbi 55% e tyre janë pushuar, pezulluar ose transferuar në prokurori të tjera.
Një nga problematikat më të theksuara mbetet ekzekutimi i vendimeve gjyqësore. Nga 6 313 vendime të formës së prerë, 1 230 prej tyre vazhdojnë të mos ekzekutohen, mes tyre 331 dënime me burgim dhe 149 vendime me gjobë.
Raporti evidenton gjithashtu rritje të kriminalitetit në disa fusha specifike. Veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike janë rritur me 13%, ndërsa ato që lidhen me regjimin juridik të tokës kanë shënuar rritjen më të madhe, me 51% krahasuar me një vit më parë.
Edhe rastet e dhunës në familje kanë vijuar trendin në rritje. Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 1 683 procedime për këtë vepër penale, ndërsa mbi 91% e kërkesave të prokurorëve për masat e sigurisë kanë qenë për arrest.
Në raport pranohet se mbingarkesa e prokurorëve vazhdon të jetë një nga pengesat kryesore për nisjen e hetimeve kryesisht, ndërsa problematike mbetet edhe infrastruktura në prokuroritë e Tiranës dhe Sarandës.
Sa i përket korrupsionit, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm regjistruan 625 procedime penale, por vetëm 20 prej tyre u nisën kryesisht nga vetë organi i akuzës. Po ashtu, nga 56 procedime të transferuara drejt SPAK-ut, vetëm 41 u pranuan nga Prokuroria e Posaçme.
Në raportin e paraqitur para deputetëve, Prokurori i Përgjithshëm theksoi se prioritetet për vitin 2026 do të mbeten lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave, si dhe forcimi i bashkëpunimit me institucionet ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit.
Megjithatë, shifrat e raportit evidentojnë se sistemi i prokurorisë vijon të përballet me ngarkesë të lartë, numër të konsiderueshëm dosjesh të pambyllura dhe vështirësi në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, problematika që vazhdojnë të ndikojnë në efektivitetin e ndjekjes penale.



