Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë për një tjetër ditë shqyrtimin e vendimit për gjobat dhe vërejtjet ndaj kandidatëve, gjatë seancës publike të zhvilluar këtë të enjte.
Sipas burimeve, vendimi për shtyrjen u mor pas pretendimeve të Partia Demokratike, e cila argumentoi se disa prej kandidatëve nuk ishin njoftuar lidhur me gjetjet e auditit.
Në rendin e ditës ishte parashikuar të shqyrtohej edhe mandati i Kreshnik Hajdari, por përfaqësuesi i tij ligjor deklaroi se ai nuk ndodhet në kushtet që e pengojnë të ushtrojë mandatin si kryebashkiak i Kuçovës.
Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i Lefter Maliqi, avokati Arben Llangozi, kërkoi përjashtimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi nga shqyrtimi i çështjes.
Sipas tij, Celibashi kishte mbajtur më herët një qëndrim për të njëjtën çështje dhe për këtë arsye nuk mund të shprehej sërish në mënyrë të paanshme.
Pas kërkesës, Ilirjan Celibashi deklaroi se tërhiqet nga shqyrtimi i çështjes, duke e konsideruar veten në konflikt interesi.
“E konsideroj veten në konflikt të interesit ndaj tërhiqem nga kjo çështje. Nëse për ju kjo çështje përbën shqetësim dhe ju e cilësoni të përligjur, me argumentin që kam paragjykuar këtë çështje për një vendimmarrje të shkuar, me të drejtën dhe detyrimin që më jep Kodi i Procedurës Administrative, po heq dorë nga kjo çështje”, deklaroi Celibashi gjatë seancës.



