Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar pas deklaratave të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, lidhur me statusin e tij “non grata”.
Në një përgjigje për Top News, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit deklaroi se janë bërë përjashtime për disa përcaktime dhe sanksione të vendosura sipas nenit 7031(c) nga administrata e mëparshme, pasi këto masa konsiderohen në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.
“Departamenti i Shtetit ka bërë përjashtime (waivers) për disa përcaktime/sanksione sipas nenit 7031(c), të vendosura nga administrata e mëparshme, pasi dhënia e këtyre përjashtimeve i shërben një interesi kombëtar”, thuhet në deklaratë.
Termi “waiver” nënkupton një përjashtim ose pezullim të përkohshëm të efekteve të disa sanksioneve apo kufizimeve, pa nënkuptuar domosdoshmërisht heqjen e plotë të tyre.
Neni 7031(c) i legjislacionit amerikan përdoret për të ndaluar hyrjen në SHBA të zyrtarëve të huaj dhe familjarëve të tyre kur ekzistojnë informacione të besueshme për përfshirje në korrupsion të rëndë ose shkelje serioze të të drejtave të njeriut.
Sipas shpjegimeve të dhëna, përjashtimet mund të jepen për arsye diplomatike, sigurie kombëtare, negociatash apo interesa të tjera strategjike të Shteteve të Bashkuara. Kjo do të thotë se disa pasoja të sanksioneve mund të zbuten ose pezullohen përkohësisht, bazuar në vlerësimin se një veprim i tillë i shërben interesit kombëtar amerikan.
Reagimi i DASH vjen pas pretendimeve të Berishës se statusi i tij “non grata” është hequr, ndërsa deklarata e Departamentit të Shtetit nuk përmend në mënyrë specifike emra individësh apo raste konkrete.



