back to top
23.4 C
Tirana
E hënë, 13 Korrik, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomia“Mbi 310 milionë euro investim në rrezik”/ Pacolli flet për situatën në...

“Mbi 310 milionë euro investim në rrezik”/ Pacolli flet për situatën në Aeroportin e Vlorës

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar publikisht për situatën në Aeroportin e Vlorës, duke e cilësuar atë si alarmante dhe duke kërkuar ndërhyrjen urgjente të institucioneve shtetërore.

Në një deklaratë publike, Pacolli tha se prej 18 majit 2026 punimet në aeroport janë penguar nga veprime të një grupi personash, të cilat sipas tij bien ndesh me ligjin dhe me vendime të formës së prerë të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë.

Sipas Pacollit, bllokimi i punimeve po shkakton dëme të konsiderueshme ekonomike dhe po ndikon negativisht në zhvillimin e rajonit, si edhe në imazhin e Shqipërisë përballë investitorëve strategjikë. Ai theksoi se kompania koncesionare MABCO ka investuar mbi 310 milionë euro në projekt dhe vazhdon të mbajë barrën financiare të investimit.

Pacolli argumenton se vonesat në realizimin e aeroportit nuk lidhen me investitorin, por me procese dhe vendime që, sipas tij, kanë krijuar pasiguri juridike dhe kanë penguar zbatimin e vendimeve të instancave më të larta gjyqësore.

Në deklaratën e tij, ai shprehet se situata ka cenuar autoritetin e sistemit të drejtësisë dhe besimin e publikut te shteti ligjor, ndërsa ngre shqetësime edhe për përfshirjen e strukturave shtetërore në rrethana që, sipas tij, kërkojnë hetim institucional.

Biznesmeni u bëri thirrje organeve të rendit, Prokurorisë dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë për zhbllokimin e punimeve, garantimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore dhe hetimin e plotë të çdo veprimi që mund të ketë kontribuar në krijimin e situatës aktuale.

Pacolli theksoi se MABCO mbetet e gatshme të bashkëpunojë me autoritetet, duke vënë në dispozicion dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zbardhjen e çështjes dhe identifikimin e përgjegjësive.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat