KreuAktualitetPolitikaQytetarët në marshim/ “Shqipëria e shqiptarëve, jo e oligarkëve”

Qytetarët në marshim/ “Shqipëria e shqiptarëve, jo e oligarkëve”

Protesta e qytetarëve në Tiranë ka hyrë në ditën e saj të 12-të, me pjesëmarrësit që vijojnë të kërkojnë ndryshime politike, sociale dhe mbrojtjen e mjedisit.

Tubimi nisi në sheshin “Skënderbej”, ku protestuesit u mblodhën përpara se të marshonin drejt godinës së Kryeministrisë. Gjatë protestës u dëgjuan thirrje kundër qeverisë dhe opozitës zyrtare, si “Rama në burg”, “Berisha në burg”, “Shqipëria e shqiptarëve, jo e oligarkëve” dhe “Shqipëri e re”.

Pjesëmarrësit deklaruan se protesta synon të sjellë ndryshime në jetën politike dhe sociale të vendit, duke vendosur theksin te e ardhmja e të rinjve dhe përfaqësimi i qytetarëve në vendimmarrje.

Gjatë tubimit, protestuesit i bënë thirrje SPAK-ut të nisë hetime ndaj kryeministrit Edi Rama, duke përmendur atë që ata i cilësuan si afera të lidhura me zyrtarë të lartë të qeverisë. Në fjalimet e mbajtura u përmendën emrat e Belinda Ballukut dhe Arben Ahmetajt, ndërsa u kërkua më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet.

Një nga protestuesit tha se lëvizja, e cila fillimisht u identifikua me mbrojtjen e flamingove dhe kundërshtimin e ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura, tashmë është shndërruar në një kauzë më të gjerë qytetare.

“11 ditë më parë kjo nisi si revolucioni i flamingove. Kjo nuk është më çështja e flamingove, e Zvërnecit apo e Nartës, kjo është çështja e të drejtës sonë për t’u dëgjuar. Kjo është çështja e Shqipërisë që duam t’ua lëmë fëmijëve tanë. Lufta për të mbrojtur natyrën është një luftë që nuk mbaron kurrë. Këtu jemi për të mbrojtur krenarinë. Është beteja e fundit për të mbrojtur identitetin tonë. Nuk do të ndalemi”, u shpreh ai.

Sipas organizatorëve, protesta po zhvillohet në mënyrë paqësore dhe deri më tani nuk janë raportuar incidente. Ata kanë bërë të ditur se tubimet do të vijojnë çdo ditë në orën 18:00, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Mes kërkesave kryesore të protestuesve janë anulimi i ligjeve që, sipas tyre, cenojnë mjedisin dhe zonat e mbrojtura, rritja e transparencës institucionale, lufta kundër korrupsionit dhe krijimi i një modeli të ri përfaqësimi politik.

Protesta, e cila nisi si një reagim ndaj çështjeve mjedisore, po merr gjithnjë e më shumë karakter politik dhe qytetar, me organizatorët që theksojnë se synimi i tyre është ndërtimi i një Shqipërie me më shumë drejtësi, llogaridhënie dhe mundësi për brezat e rinj.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat