Protestuesit u mblodhën sërish mbrëmjen e së enjtes para Kryeministrisë, duke vijuar protestën e tyre të përditshme kundër qeverisë, opozitës dhe klasës politike në vend.
Ndër të parat që mori fjalën ishte aktivistja Sidorela Vatnikaj, e cila, përveç kërkesës për largimin nga politika të kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, i bëri thirrje edhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK) të nisë hetime ndaj kreut të qeverisë.
Sipas Vatnikajt, kryeministri duhet të hetohet për dijeninë që mund të ketë pasur lidhur me çështje që lidhen me kryebashkiakun e Tiranë, Erion Veliaj, dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Gjatë tubimit, aktivistë dhe qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit shprehën kritika ndaj qeverisë, opozitës dhe institucioneve të drejtësisë, duke kërkuar ndryshime më të thella politike dhe përfaqësim më të mirë të qytetarëve.
Një prej protestuesve deklaroi se lëvizja synon krijimin e një sistemi të ri politik, ndërsa theksoi se të rinjtë duhet të kenë një rol më të madh në të ardhmen e vendit.
Në ditën e 12-të të protestës, një tjetër pjesëmarrës tha se ajo që nisi si një reagim për çështjen e flamingove dhe zonave të mbrojtura të Zvërnec dhe Nartë, tashmë është shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare për mbrojtjen e mjedisit, identitetit dhe të drejtës së qytetarëve për t’u dëgjuar.
Gjatë fjalimeve u ngritën gjithashtu shqetësime për korrupsionin, emigracionin, gjendjen ekonomike dhe funksionimin e institucioneve shtetërore. Protestuesit bënë thirrje për unitet qytetar dhe vijimin e protestave, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe ndryshime në qeverisjen e vendit.



