back to top
27.1 C
Tirana
E hënë, 15 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaEuro në rënie të lirë/ Investimet në pasuri të paluajtshme dhe turizmi...

Euro në rënie të lirë/ Investimet në pasuri të paluajtshme dhe turizmi shtojnë presionin

Euro ka nisur edhe këtë javë në territor negativ, duke regjistruar një tjetër minimum historik në raport me monedhën shqiptare. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye këtë të hënë me 94.89 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Që nga fillimi i vitit 2026, euro ka humbur rreth 1.9% të vlerës së saj kundrejt lekut, ndërsa në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, zhvlerësimi ka arritur në 3.2%.

Sipas agjentëve të tregut valutor, nisja e sezonit turistik ka rritur ndjeshëm ofertën e valutës, duke ushtruar presione të reja mbi monedhën europiane. Por përveç turizmit, ndikim të konsiderueshëm po japin edhe flukset e kapitalit të lidhura me tregun e pasurive të paluajtshme.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në tremujorin e parë të vitit 2026 investimet e huaja direkte arritën në 404 milionë euro, një rekord historik për këtë periudhë. Nga kjo shumë, rreth 174 milionë euro u investuan në pasuri të paluajtshme, duke bërë që sektori i “real estate” të zërë 43% të totalit të investimeve të huaja direkte, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.

Megjithatë, ekspertët ngrenë pikëpyetje mbi burimin e një pjese të këtyre flukseve financiare. Sektori i pasurive të paluajtshme konsiderohet prej kohësh si një nga fushat ku mund të kanalizohen të ardhura nga aktivitetet informale dhe kriminale. Vetëm pak ditë më parë, SPAK bëri publike zbulimin e një skeme të dyshuar të pastrimit të parave në këtë sektor, ku nën hetim janë vendosur edhe emra të rëndësishëm të industrisë së ndërtimit.

Ndërkohë, burime nga tregu pohojnë se Banka e Shqipërisë vijon të ndërhyjë për të frenuar forcimin e mëtejshëm të lekut, duke blerë valutë në treg. Megjithatë, ndërhyrjet nuk kanë arritur të ndalin rënien e euros. Gjatë viteve 2024-2025, Banka e Shqipërisë ka blerë mbi 2 miliardë euro në tregun vendas.

Situata krijon një ekuilibër të vështirë për politikën monetare. Nga njëra anë, forcimi i lekut ndihmon në zbutjen e presioneve inflacioniste, por nga ana tjetër po shton vështirësitë për eksportuesit shqiptarë dhe sektorët që sigurojnë të ardhurat në euro.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat