Vetëm 22 orë pasi njoftoi largimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, deputetja e Shkodrës, Marjana Koçeku, ka reaguar sërish, këtë herë përmes një postimi enigmatik në rrjetet sociale.
E njohur si “Neomalësorja”, Koçeku publikoi një foto të një flamingoje në Instagram dhe Facebook, një mesazh që është interpretuar nga ndjekësit si një sinjal mbështetjeje për protestat dhe lëvizjet kundër kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë, largimi i saj i papritur duket se ka kapur në befasi edhe vetë socialistët. Burime nga Partia Socialiste thanë se disa deputetë kanë tentuar të kontaktojnë kolegen e tyre, por telefoni i saj rezulton i fikur.
Madje, mes humorit dhe habisë, disa prej tyre kanë hedhur edhe dyshimin se llogaria e deputetes në Facebook mund të jetë hakeruar, pasi në njoftimin e largimit ajo shkruante në gegërisht: “Prej sot jam deputete e pamvarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojnë kufijtë”.
Mësohet se deri më tani Koçeku nuk ia ka komunikuar zyrtarisht vendimin e saj kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Gjatë mbledhjes së grupit të hënën, Balla mësohet të ketë deklaruar se “për këtë çështje do të flasim në një moment të dytë”.
Largimi i papritur i deputetes së Shkodrës ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku nuk kanë munguar as zërat që i kërkojnë t’i dorëzojë mandatin Partisë Socialiste, forcës politike që e promovoi dhe e renditi në listën e mbyllur të qarkut Shkodër në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Marjana Koçeku, e cila u bë e njohur përmes biznesit familjar të agroturizmit dhe aktivitetit të saj si “Neomalësorja”, ishte një prej emrave të rinj të përzgjedhur nga Edi Rama, me mbështetjen e Benet Beci, për të përfaqësuar socialistët në Kuvend.
Por 22 orë pas njoftimit që tronditi selinë rozë, misteri mbi arsyet e largimit të saj jo vetëm që nuk është zbardhur, por duket se është thelluar edhe më shumë.



