Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është zhvilluar seanca e parë e gjyqit në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe të pandehurve të tjerë në dosje që kanë zgjedhur procesin normal.
Ashtu si edhe në seancat e mëparshme, Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallë, pasi vijon të refuzojë qëndrimin në kafazin e qelqtë. Përmes një deklarate drejtuar trupit gjykues, ai njoftoi se do të përfaqësohet nga avokati i tij, Plarent Ndreca.
Mbrojtja e Veliajt kërkoi shtyrjen e seancës, duke argumentuar se 24 fashikujt e dosjes i janë vënë në dispozicion vetëm një ditë më parë, rreth orës 15:00, dhe se nevojitet kohë për t’u njohur me materialet.
“Aktet na janë vënë në dispozicion ditën e djeshme, rreth orës 15:00. Kërkojmë të njihemi fillimisht me to dhe më pas të zhvillohet seanca”, deklaroi avokati Plarent Ndreca.
Nga ana tjetër, prokurori i çështjes, Ols Dado, kundërshtoi kërkesën, duke theksuar se dokumentet në fjalë kanë të bëjnë me të pandehur të tjerë dhe jo me Veliajn.
“Ne kemi zbatuar vendimin e gjykatës dhe dokumentacionin ia kemi dërguar dje në paraburgim”, tha Dado.
Pavarësisht kërkesës së mbrojtjes, GJKKO vendosi vijimin e seancës dhe rrëzoi kërkesën për transmetimin live të saj për mediat.
Avokati Ndreca e cilësoi moslejimin e kamerave si cenim të një të drejte kushtetuese të mediave dhe kërkoi gjithashtu që Veliaj të lejohet të marrë pjesë në seancë jashtë kafazit të qelqtë, pranë mbrojtësit të tij.
Po ashtu, mbrojtja kërkoi akses në provat dixhitale të dosjes dhe mundësinë për të paraqitur kundërshtimet lidhur me vlefshmërinë e tyre.



