Nga Hysen Myzyri
Personalisht çdo kërkesë për demokratizimin e vendit dhe për zgjerimin e mirëqënies dhe të lirisë përherë e kam dashur dhe përherë i jam bashkuar. Është një prosperitet i vërtetë që prodhon frytet më të mira politike.
Por këtë radhë kur dëgjova fjalën “revolucion” u tremba shumë, për të mos thënë tepër. U distancova me ndergjegje te plotë. Se ku kanë përfunduar të gjithë ata që i dhuruan jetën revolucionit proletar, por edhe revolucionit permanent këtë të zezë më fort se populli shqiptar përpos Koresë së Veriut, jam i mendimit se asnjë vend në botë nuk e ka provuar. Madje edhe proletarët bolshevikë që e vunë në jetë të parët këtë mëncyrë nuk e vuajtën sikur ne shqiptarët, që patëm për rreth një gjysëm shekulli me kërbaç në dorë qoftëlargun tonë bëmat e revolucionit të të cilit nuk po arrijmë t’i shkulim dot, as me ndihmën e gjithë botës mbarë.
Natyrisht shteti që kemi sot nuk është parajsa në qiell, por nuk është kurrë revolucioni mjeti i duhur për të korrigjuar padrejtësitë, institucionet, individët, apo shoqëritë të cilat duhet të transformohen vetëm përmes reformave, dialogut dhe institucioneve demokratike.
Do desha t’i kujtoj me shumë mirësi protestuesve të pasprovuar se revolucioni në kuptimin klasik është një ndryshim i shpejtë, rrënjësor dhe i thellë i rendit politik, ekonomik dhe shoqëror. Por ai nuk synon të korrigjojë sistemin ekzistues, por vetëm ta zëvendësojë atë.
Revolucioni permanent lidhet veçanërisht me emrin e Leon Trotskit i cili e vuri në jetë i pari dhe sipas të cilit procesi revolucionar nuk duhet të ndalet në një fazë të caktuar, por duhet të vazhdojë vazhdimisht derisa të transformojë të gjithë strukturën e shoqërisë?!
Për prindërit tanë të cilët jetuan me tmerr zbatimin e kësaj teorie makabre, ajo prodhoi vetëm pasiguri institucionale, konflikt të vazhdueshëm politik, polarizim social, dobësim të shtetit ligjor dhe vështirësi në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme.
Një shoqëri nuk mund të jetojë përgjithmonë në gjendje mobilizimi revolucionar. Ajo ka nevojë për stabilitet, siguri juridike dhe parashikueshmëri. Përvoja shqiptare nga e cila si duket akoma nuk paskemi mësuar na ka treguar se shumë revolucione fillojnë me idealin e lirisë, por përfundojnë duke krijuar forma të reja dominimi.
Hanna Arendt vëren se revolucioni francez filloi me idealet e lirisë, por përfundoi në terrorin politik. Për të, problemi nuk ishte aspirata për drejtësi, por bindja se çdo pengesë mund të eliminohej përmes radikalizimit të mëtejshëm.
Edmund Burke, i cili ishte një nga kritikët më të hershëm të revolucionit na ka argumentuar se shoqëria është rezultat i përvojës së shumë brezave dhe nuk mund të rindërtohet sipas një projekti abstrakt.
Pra, përpjekjet naive për të rindërtuar të gjithë shoqërinë me një akt revolucionar përherë kanë prodhuar pasoja që askush nuk i kishte parashikuar. Shembujt e Revolucionit Francez, Revolucionit Rus dhe Revolucioni Kulturor Kinez na kanë treguar se energjia revolucionare përherë ka prodhuar pasoja që kanë tejkaluar qëllimet fillestare. Duke sjellë pasoja të tilla sikurse luftë civile, terror politik, spastrim ideologjik dhe ndërtimin e një autoritarizmi të fortë.
Në këtë konteks në rastin e debatit mbi Zvërnecin dhe Lagunës së Nartës, çështja kryesore nuk duhet të jetë aspak revolucioni, por balancimi i disa interesave legjitime sikurse mbrojtja e biodiversitetit, ruajtja e trashëgimisë natyrore e drejta e komunitetit lokal, zhvillimi ekonomik dhe mbi këtë bazë integrimi europian ku po përpiqemi të hyjmë. Sepse me revolucione prindërit tanë hynë vetëm në kampe përqëndrimi, burgje internime dhe punë strapacuese pa të drejtën për të bërë pasuri personale për të mos thënë për liritë të cilat ekzistonin vetëm në letër.
Në demokracitë moderne, ku po përpiqemi të reshtohemi mbas mijera perpjekjesh protesta qytetare nuk është dhe nuk duhet te jet kurrë revolucion. Ajo është dhe duhet të jetë pjesë e procesit demokratik. Sepse revolucioni është ndryshim radikal, është përmbysje me dhunë, që prodhon vetëm dhe vetëm dhunë dhe asgjë tjetër.
Në se do të vemë re gjatë qeverisjes së Ramës, duam apo nuk duam, pa u bërë kritizerë asnjëherë nuk kemi patur në të gjithë historinë e Shqipërisë një zhvillim kaq të madh ekonomik por edhe të zgjerimit të të drejtave, përpos edhe mangësive të cilat ekzistojnë që kurrsesi nuk mund të zhduken, por veçse të reduktohen në maksimum. Këtu turistët sikurse në asnjë rast tjetër në të gjithë historinë tonë nuk kanë ardhur si në kohën e Mbretit Zog, por edhe të qoftëlargut, vetëm për të realizuar kronika vuajtjesh shumë vjeçare dhe mjerimi migjenian.
Vendi ynë brenda një 10-vjeçari ka marrë forma europiane dhe nga të gjithë anët kanë dëshirë të vijnë për pushime, por edhe për turizëm kulturor. Mos harrojmë se përpara mandatit të tij askush nuk merrte guximin dhe kurajën të hynte, përpos disa tregtarucëve mashtrues që ishin në kërkim nga autoritetet e drejtësisë së vendeve të tyre por edhe të politikanëve të huaj negociatorë që vinin për të bindur politikanët tanë kokëdërra që torturonin shumicën dhe e kishin futur vendin në konflikte të padëgjuara veri-jug. Ky zhvillim i tillë kurrë mos harrojmë se ka krijuar edhe xhelozinë e fqinjëve dhe atyre që asnjëherë nuk na kanë dashur dhe po gjejnë momentin të na përçajnë.
Nën këtë frymë, ajo që do t’i thosha me shumë mirësi të revoltuarëve të sotëm në vend të kërkesave absurde për revolucion dhe përmbysje me dhunë duhet të jetë përpjekja se si të ndërtojmë dhe përsosim një rend politik që prodhon njëkohësisht liri, drejtësi, zhvillim dhe qëndrueshmëri për të cilën kemi aq shumë nevojë.



