Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje ku pretendohej se ai ndodhej në Basel të Zvicrës duke konsumuar me shpenzimet e shtetit.
Përmes një reagimi publik, Rama i hodhi poshtë këto pretendime, duke theksuar se gjatë afro tre dekadave në shërbim publik nuk ka kryer asnjë udhëtim privat me fondet e shtetit, duke shtuar se e njëjta gjë vlen edhe për familjen e tij.
Videoja në fjalë u publikua nga ish-shefi i Policisë së Vlorës, Dritan Zagani, i cili shfaqte kryeministrin në një lokal në Zvicër.
Sipas Ramës, udhëtimi në Basel ishte realizuar me shpenzime personale. Ai sqaroi se kishte qenë i ftuar privatisht nga ArtBasel, panairi i përvitshëm i galerive më prestigjioze të artit në botë, ku janë ekspozuar edhe vepra të tij.
“Në Zvicër isha i ftuar privatisht nga ArtBasel. Kemi udhëtuar dhe qëndruar një ditë e gjysmë me bashkëshorten, si gjithnjë në këto raste, plotësisht me shpenzimet tona”, u shpreh kreu i qeverisë.
Rama theksoi gjithashtu se gjatë 13 viteve në detyrën e kryeministrit, ai dhe familja e tij nuk kanë kaluar pushime jashtë vendit me fonde shtetërore.
Në reagimin e tij, kreu i qeverisë foli edhe për akuzat dhe shpifjet në politikë, duke deklaruar se qëndrimi i tij mbi transparencën financiare mbetet i pandryshuar dhe duke kritikuar përhapjen e dezinformatave në rrjetet sociale.



