Emri i prokurores së Prokurorisë së Përgjithshme, Pranvera Pustina, po përmendet si një nga kandidaturat më të forta për të marrë drejtimin e organit të akuzës, pas përfundimit të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela.
Nëse kandidatura e saj zyrtarizohet, ajo do të jetë përballë jo vetëm filtrit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por edhe një shqyrtimi të detajuar publik mbi integritetin, pasurinë dhe lidhjet familjare.
Dokumentet e ILDKPKI-së dhe vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit hedhin dritë mbi pasurinë e saj dhe të familjes, ndërsa aktiviteti i bashkëshortit, Florian Pustina, ka qenë prej vitesh pjesë e debatit publik për shkak të marrëdhënieve profesionale me njerëz pranë pushtetit.
Pasuria, sipas Vettingut
Nga dokumentet e ILDKPKI-së dhe vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit rezulton se pasuria e saj është rritur ndjeshëm gjatë viteve, ndërsa Vettingu ka kryer analizë financiare për burimin e të ardhurave, pasuritë e paluajtshme, automjetet, likuiditetet dhe shpenzimet familjare.

Rezulton se të ardhurat e saj familjare rriten ndjeshëm pas vitit 2012. Të ardhurat nga aktiviteti privat i bashkëshortit përbëjnë pjesën kryesore të financave. Gjatë viteve 2013–2015 konstatohet një rritje e konsiderueshme e likuiditeteve. Rezultati financiar i analizës së KPK rezulton pozitiv në shumicën e viteve, ndërsa për vitin 2008–2010 evidentohet një bilanc negativ prej rreth 91 mijë lekësh.
Konkretisht në analizën financiare evidentohet, blerja e apartamentit në Tiranë, blerja e automjeteve, krijimi i likuiditeteve të konsiderueshme në banka
Tabela financiare e KPK tregon se në vitet 2008–2010 familja deklaronte rreth 1.2 milionë lekë të ardhura. Në vitin 2013 të ardhurat arrijnë mbi 46 milionë lekë. Në vitin 2015 mbi 34.7 milionë lekë, ndërsa në vitin 2016 mbi 20 milionë lekë.
Pjesa dërrmuese e kësaj rritjeje lidhet me të ardhurat e bashkëshortit nga aktiviteti privat.
Po kështu, likuiditetet në banka arrijnë në dhjetëra milionë lekë gjatë viteve të analizuara.

Bashkëshorti, MJAFT dhe lidhjet me familjen Veliaj
Floran Pustina nuk është një emër i panjohur.
Ai ka qenë ndër bashkëthemeluesit e lëvizjes MJAFT, organizatë nga e cila kanë dalë disa figura që më pas morën role të rëndësishme politike dhe institucionale, përfshirë edhe Erion Veliajn.

Më vonë, Floran Pustina rezulton bashkëthemelues i kompanisë Gogel.
Sipas të dhënave të publikuara në regjistrat tregtarë, vetëm dy vite pas themelimit, pronësia e kompanisë kaloi tek Arbër Veliaj, vëllai i Erion Veliajt, për një vlerë rreth 1 mijë euro, ndërkohë që kompania deklaronte fitime rreth 10 mijë euro.

Ky është një fakt i dokumentuar në regjistrat tregtarë dhe nuk përbën në vetvete provë për ndonjë shkelje ligjore, por mbetet një element me interes publik për shkak të lidhjeve mes personazheve.
Ajola Xoxa dhe studio “Tashko Pustina”
Një tjetër pikë takimi mes familjes Pustina dhe familjes Veliaj është edhe studio ligjore “Tashko Pustina”.
Nga viti 2012 deri në vitin 2015, Ajola Xoxa ka ushtruar profesionin si avokate e asociuar në këtë studio.

Edhe Erion Veliaj e konfirmoi këtë në qershor të vitit 2015, gjatë fushatës për Bashkinë e Tiranës, kur reagoi ndaj akuzave të opozitës.
Në reagimin zyrtar thuhej se Ajola Xoxa kishte qenë juriste me pagë fikse, pa klientë personalë dhe pa marrëdhënie financiare të drejtpërdrejta me klientët e studios.
Megjithatë, fakti që bashkëshortja e kryebashkiakut punonte në studion ligjore ku ortak ishte Floran Pustina mbetet një element që pritet të rikthehet në vëmendje, nëse Pranvera Pustina do të kandidojë për postin më të lartë të akuzës.
Ndaj në rast se Pranvera Pustina do të jetë zyrtarisht në garë për Prokurore të Përgjithshme, pyetjet që shtrohen janë:
A përbëjnë marrëdhëniet profesionale të bashkëshortit me figura të afërta me Partinë Socialiste një konflikt interesi apo vetëm lidhje profesionale?
A mund të ndikojnë këto marrëdhënie në perceptimin për pavarësinë e institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm?
E Vërteta.al
Kryeprokurori i ri/ Si shpëtoi nga SPAK-u kandidati që synon kreun e akuzës
Kandidate për Prokurore të Përgjithshme?/ Gruaja që goditi call center-at e 50 milionë eurove
Gara për kryeprokurorin e ri/ Kandidatët që synojnë vendin e Olsian Çelës
Lëvizje në Prokurori/ KLP miraton ndryshime për garën e Prokurorit të Përgjithshëm



