Kolegji i Posaçëm i Vlerësimit (KPA) ka lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPL) për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Elbasanit, Mustafa Turku. KPL vendosi për shkarkimin nga detyra të Turkut në vitin 2023, ndërsa ky i fundit ankimoi vendimin në janar të vitit 2024.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimi, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Ina Rama relatore, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë, vendosi këtë të hënë për prokurorin, teksa bëhet me dije se ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Mustafa Turku, prokuror i Elbasanit, u shkarkua dy vite më parë për mospërmbushje të kritereve që parashikon ligji i kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Gjithashtu, Turku kishte kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasurinë, me një bilanc negativ në shumën 4 milionë e 397 mijë lekë për gjithë periudhën e rivlerësuar.
Ai e kishte nisur karrierën në sistemin e drejtësisë para viteve ’90 dhe punonte prej më shumë se dy dekadash si prokuror i Elbasanit.
Njoftimi:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Ina Rama relatore, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 2/2024, datë 09.01.2024, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Mustafa Turku kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 708, datë 26.10.2023.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 708, datë 26.10.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Mustafa Turku. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.