KreuAktualitetEkonomiaKriza e fasonerisë/ Tabaku akuzon qeverinë: Industria po shkon drejt falimentimit

Kriza e fasonerisë/ Tabaku akuzon qeverinë: Industria po shkon drejt falimentimit

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin për situatën e industrisë fason në vend, duke deklaruar se mbyllja e fabrikave dhe vështirësitë e këtij sektori janë pasojë e politikave ekonomike të qeverisë.

Në një reagim publik, Tabaku tha se pas më shumë se një dekade qeverisjeje nga socialistët, industria fason po përballet me një krizë të rëndë, ndërsa mijëra familje rrezikojnë humbjen e vendeve të punës.

Sipas deputetes demokrate, ky sektor që dikur punësonte mbi 175 mijë shqiptarë po dobësohet për shkak të mungesës së mbështetjes, kostove të larta të operimit, zhvlerësimit të euros dhe barrës fiskale.

“Industria fason është lënë pa mbështetje dhe po shkon drejt falimentimit”, u shpreh Tabaku, duke shtuar se mbyllja e bizneseve nuk prek vetëm sipërmarrësit, por mijëra familje që varen nga të ardhurat e siguruara në këtë industri.

Ajo paralajmëroi se Shqipëria rrezikon të humbasë pozicionin në tregjet ndërkombëtare dhe markën “Made in Albania”, pasi sipas saj shumë biznese po nxjerrin aktivitetet në shitje ose po zhvendosin pajisjet dhe prodhimin jashtë vendit.

Tabaku akuzoi qeverinë se nuk ka ndërmarrë politika të mjaftueshme për mbrojtjen e prodhimit vendas dhe punësimit, ndërsa kritikoi edhe klimën ekonomike në vend, duke pretenduar se favorizimi i disa interesave të caktuara ka dëmtuar konkurrencën.

Sipas saj, pa një sektor prodhues të fortë nuk mund të ketë eksporte, vende pune të qëndrueshme dhe zhvillim ekonomik afatgjatë.

Deputetja e PD-së kërkoi një ndryshim të modelit ekonomik, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për politika që mbështesin sipërmarrjen, prodhimin dhe punën.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat