Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka zhvilluar një operacion të gjerë kundër një grupi kriminal të dyshuar për trafik të lëndëve narkotike dhe pastrim të shumave të mëdha parash.
Në kuadër të operacionit janë lëshuar 20 masa sigurie. Mes personave të arrestuar ndodhet edhe Orest Sota, emër i njohur për drejtësinë shqiptare.
Ndërkohë, për biznesmenët Artur Shehu dhe Ilir Shtufi është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”, nën dyshimet për përfshirje në pastrimin e parave të grupit kriminal. Sipas burimeve, të dy ndodhen aktualisht jashtë territorit të Shqipërisë.
Artur Shehu njihet si pronar i pjesës më të madhe të sipërfaqes së tokës në zonën e Zvërnecit, ku është planifikuar ndërtimi i një resorti luksoz. Ndërsa Ilir Shtufi konsiderohet një nga biznesmenët më të njohur në sektorin e ndërtimit, duke zhvilluar disa projekte të rëndësishme në Tiranë.
Autoritetet kanë shpallur në kërkim edhe Orgec Birçajn, i cili dyshohet se ka rol në aktivitetin kriminal që po hetohet.
Orest Sota u bë i njohur për publikun më 1 nëntor 2017, kur u arrestua gjatë një kontrolli policor, teksa udhëtonte me një automjet ku u sekuestruan 863 mijë euro.
Hetimet vijojnë, ndërsa SPAK pritet të japë detaje të tjera mbi strukturën e grupit kriminal dhe rolin e personave të përfshirë në këtë dosje.



