Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka zhvilluar mëngjesin e kësaj të hëne një mbledhje me deputetët socialistë, ku është ndalur edhe te vendimi i deputetes së qarkut Shkodër, Marjana Koçeku, për t’u larguar nga PS dhe për të vijuar mandatin si deputete e pavarur.
Sipas burimeve, gjatë mbledhjes Balla ka bërë të ditur se qëndrimi i Partisë Socialiste lidhur me këtë zhvillim do të jepet në një moment tjetër, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Marjana Koçeku, e cila siguroi mandatin nën siglën e PS-së si pjesë e listës së mbyllur në qarkun Shkodër, njoftoi një ditë më parë largimin nga socialistët përmes një reagimi në rrjetet sociale.
“Prej sot jam deputete e pavarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojnë kufijtë”, shkroi Koçeku në mesazhin e saj.
Largimi i deputetes vjen pak kohë pas konstituimit të legjislaturës së re, ndërsa mbetet për t’u parë se cili do të jetë qëndrimi zyrtar i Partisë Socialiste ndaj këtij vendimi.



