Çmimet e naftës kanë shënuar rritje të re në tregjet ndërkombëtare, menjëherë pas deklaratave të fundit nga zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe përshkallëzimit të retorikës mes palëve në konflikt.
Sipas mediave të huaja, rritja e çmimeve erdhi pas deklaratës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili u shpreh se konflikti me Iranin nuk ka përfunduar dhe situata në rajon nuk është përmirësuar.
Ndikim të drejtpërdrejtë kanë pasur edhe tregjet e energjisë, ku kontratat e ardhshme të naftës së ndërmjetme të Teksasit Perëndimor (WTI) kanë shënuar rritje të ndjeshme.
Raportohet se çmimi për muajin qershor është rritur me 4.8%, duke arritur në 100.04 dollarë për fuçi, ndërsa kontratat ndërkombëtare të naftës së papërpunuar Brent crude oil për muajin korrik janë rritur me 4.2%, në 105.49 dollarë për fuçi.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar në platformën Truth Social, duke hedhur poshtë kundërpropozimin e Iranit për t’i dhënë fund konfliktit 10-javor në Lindjen e Mesme, duke e cilësuar atë “krejtësisht të papranueshëm”.
Sipas raportimeve, çmimet e naftës WTI dhe Brent janë rritur me afro 40% që nga nisja e konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, duke reflektuar pasigurinë e vazhdueshme në tregjet globale të energjisë.



