Ish kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka reaguar në rrjete sociale në lidhje me takimin e kryeministrit Edi Rama me diasporën në ShBA.
Sipas Bashës, Rama po përpiqet të mashtrojë qytetarët me sukseset imagjinare të qeverisë së tij.
Basha shkon më tej duke thënë se Rama është rikthyer tek vendi i krimit, aty ku korruptoi Charles McGonigal, agjentin e kundërzbulimit të partnerëve tanë strategjikë.
“Kryeministri turist i vendit më të varfër dhe më të korruptuar në Europë, mund të gënjejë veten, por jo qytetarët.
Sot është kthyer në vendin e krimit, aty ku korruptoi Charles McGonigal, agjentin e kundërzbulimit të partnerëve tanë strategjikë, duke dëshmuar se nuk respekton vlerat e vendit që bujarisht na ka ndihmuar dhe mbështetur, por ato të autokratëve lindorë.
Sukseset imagjinare të qeverisë së tij kanë imazhin e Saimir Tahirit, si ministër të Brendshëm i kriminalizimit të institucioneve, e Arben Ahmetajt, si zv. kryeminsitër i korrupsionit masiv, e Beqajt të Shëndetësisë së vjedhur, e Kokës së bandës së inceneratorëve, e Krifcës së fondeve të zhvatura të BE-së, e Çyrbes si ura e Ramës me botën e krimit dhe vjedhjes së zgjedhjeve, e Veliaj të 5D-së, e Xhaçkës, për të cilën grisi Kushtetutën dhe dhjetra emra e zullume që Rama i ka mbrojtur dhe inkurajuar, ndërsa bashkëqytetarët tanë anembanë botës nuk kanë për t’i harruar”, shkruan Basha.
Sipas Bashës, Rama që flet për drejtësinë si drejtuesi i qeverisë më të korruptuar në Europë, në fakt, është arkitekti i vonesave të saj, të cilat u dekonspiruan dhe u bllokuan nga partnerët strategjikë, kur kërkoi të fuste duart e tij të pista në garën për drejtuesin e SPAK dhe në hetimet për inceneratorët.
Teksa vendi i afrohet zgjedhjeve dhe Rama ka më shumë bashkëpunëtorë në burg sesa në krah, duhet të kujtojmë se për 12 vjet ai kishte të gjithë pushtetin për të bërë mirë, por zgjodhi të punojë për interesat “e tij, jo të familjeve shqiptare, që gjatë qeverisjes së tij janë varfëruar e përgjysmuar nga shpopullimi masiv.
Shqipëria meriton më shumë!”, shkruan Basha.