Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Çështja e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, pritet të rikthehet për diskutim në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pasi SHISH të përfundojë auditimin e thelluar për pasojat e mundshme që situata e krijuar mund të ketë sjellë në funksionimin e institucionit.
Lajmi u bë i ditur nga kreu i Komisionit parlamentar të Sigurisë, Bledi Çuçi, gjatë mbledhjes ku u diskutuan zhvillimet e fundit në institucionet e sigurisë, përfshirë edhe masën e sigurisë ndaj Hysenit.
Sipas Çuçit, Këshilli i Sigurisë Kombëtare u mblodh të hënën me kërkesë të Presidentit, ndërsa SHISH paraqiti një informacion paraprak mbi situatën. Në këtë mbledhje është kërkuar që të kryhet sa më shpejt një auditim i thelluar për të verifikuar nëse ka pasur pasoja në funksionimin e shërbimit.
“Presidenti mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare të hënën dhe aty pati një informacion paraprak nga SHISH. Po në Këshill u la detyra që të bëhet sa më shpejt një auditim i thellë në lidhje me ndonjë pasojë të mundshme, nëse ka, për funksionimin e SHISH dhe besoj se shumë shpejt do të kemi një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku do të diskutohet edhe më gjerësisht pasi të jetë bërë ky auditim”, deklaroi Çuçi.
Ai sqaroi se auditimi do të kryhet nga vetë SHISH dhe rezultatet do t’i përcillen Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Paralelisht, edhe Kuvendi ka mekanizmat e tij të kontrollit mbi institucionet e sigurisë.
Çuçi tha se fillimisht duhet të përfundojë hetimi i Prokurorisë për rolin e ish-drejtoreshës së SHISH dhe më pas të vlerësohen përgjegjësitë e institucioneve.
“Edhe komisioni ynë ka një rol në këtë aspekt, por duhen ndjekur të gjitha hallkat shtetërore dhe së pari duhet lënë Prokuroria të hetojë deri në fund përfshirjen e ish-drejtoreshës së SHISH në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me sigurinë ose jo”, tha ai.
Sipas Çuçit, pas përfundimit të hetimeve dhe auditimit, Kuvendi mund të përdorë instrumentet e tij për të kërkuar llogari nga institucionet përgjegjëse.
“Me kohën do të sqarohen të gjitha përgjegjësitë e secilit, qoftë penale, qoftë administrative”, u shpreh kreu i Komisionit të Sigurisë.
Ndërkohë, çështja pritet të ketë edhe një dimension politik. Çuçi bëri të ditur se Partia Demokratike ka paraqitur një kërkesë për mocion lidhur me situatën, e cila pritet të diskutohet në mbledhjen e Kryetarëve të Kuvendit.
“Jam informuar që PD ka bërë një kërkesë për mocion për këtë çështje dhe kjo çështje mendoj që do të diskutohet në mbledhjen e Kryetarëve”, deklaroi Çuçi.
Në këtë fazë, pritet përfundimi i auditimit të SHISH dhe hetimit të Prokurorisë, përpara se çështja të rikthehet për diskutim më të gjerë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.



