Si u transferua toka shtetërore në Vlorë pas deklaratës së kryeministrit/ Skema që ngre dyshime
Më 9 qershor 2026, Kryeministri Edi Rama deklaroi publikisht se qeveria po punon për tërheqjen dhe rishikimin e Ligjit për Investimet Strategjike, duke e cilësuar atë si një instrument që nuk i përgjigjet më realitetit aktual dhe procesit të integrimit europian.
“Nuk na duhet më një ligj për investime strategjike… po punojmë për një kuadër të ri ligjor”, deklaroi ai në një konferencë për mediat ndërkombëtare, duke lënë të kuptohet se skema aktuale e investimeve me procedura të posaçme dhe përdorim të pronës publike do të mbyllej ose riformatohej.
Por, zhvillimet institucionale që kanë pasuar këtë deklaratë tregojnë një tjetër ritëm në terren.
Vetëm pak javë më vonë, më 30 qershor 2026, Këshilli i Ministrave ka miratuar transferimin e një sipërfaqeje të madhe toke shtetërore në fondin e investimeve strategjike, duke i hapur rrugë një prej projekteve më të mëdha të miratuara në Vlorë vitet e fundit.

88 hektarë tokë shtetërore në dispozicion të projektit “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”
Vendimi i qeverisë parashikon kalimin në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS) të një prone me sipërfaqe rreth 885,557.6 m² (afërsisht 88.56 hektarë), në zonat kadastrale 8604 dhe 2764 të Bashkisë Vlorë.

Prona i vihet në dispozicion projektit “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”, i cili zhvillohet nga kompania “Rams Albania” sh.p.k. (NUIS M42427018I).
Sipas vendimit, kjo tokë do të përdoret për realizimin e një zone ekonomike dhe industriale të integruar, ndërsa përdorimi i saj lidhet drejtpërdrejt me statusin e dhënë më herët nga Komiteti i Investimeve Strategjike.
Nga vendimi i shkurtit te kalimi i tokës: Si u ndërtua skema
Në 11 shkurt 2026, Komiteti i Investimeve Strategjike i dha kompanisë “Rams Albania” statusin “investitor strategjik me procedurë të veçantë” për zhvillimin e një projekti që parashikon investim rreth 100 milionë dollarë dhe krijimin e deri në 10 mijë vende pune në zonën e Nartës.
Projekti përfshin ndërtimin e një parku industrial dhe teknologjik ku ndërthuren industri e lehtë, logjistikë, teknologji, automatizim dhe energji e rinovueshme. Kompania zhvilluese merr rolin e administruesit të zonës, duke ndërtuar infrastrukturën dhe më pas duke dhënë hapësirat me qira.
Me vendimin e fundit të 30 qershorit, shteti nuk kufizohet më vetëm në dhënien e statusit, por kalon edhe në vënien konkrete të tokës publike në dispozicion të projektit.
Një kompani e re, një projekt i madh, një tokë e madhe
“Rams Albania” është regjistruar në fund të vitit 2024 dhe sipas të dhënave zyrtare ka kapital fillestar minimal, pronësi të huaj, dhe një objekt aktiviteti shumë të gjerë që përfshin ndërtim, energji, industri dhe teknologji.
Ndërkohë, struktura e saj dhe të dhënat e pronësisë kanë ndryshuar në një periudhë të shkurtër kohore, ndërsa kompania është bërë përfituese e një projekti me përmasa të konsiderueshme territoriale dhe financiare.
Pyetja që mbetet pezull: Pse tani?
Vendimi i 30 qershorit ngre një pikëpyetje thelbësore institucionale dhe politike.
Pse një procedurë e tillë për transferim toke shtetërore vijon në mënyrë aktive vetëm pak javë pasi është deklaruar publikisht rishikimi ose shfuqizimi i ligjit që e mundëson atë?
Në letër, vendimi mbështetet në ligjin ekzistues për investimet strategjike dhe në vendimin e mëparshëm të KIS. Por në praktikë, ai materializon një hap të rëndësishëm të pakthyeshëm: kalimin e një prone publike prej gati 90 hektarësh në një skemë zhvillimi privat me status të posaçëm.
Pyetjet direkte për qeverinë
Në këtë fazë, disa pyetje mbeten pa përgjigje publike të detajuar.
Nëse ligji për investimet strategjike po shfuqizohet ose riformatohet, pse vijojnë vendime të reja për kalim prone në këtë kuadër?
A përbën ky vendim një vijim normal i procedurave të nisura më herët, apo një përshpejtim i qëllimshëm për të mbyllur dosje të hapura përpara ndryshimeve ligjore?
Çfarë garancie ekziston që toka publike e përfshirë në projekt nuk do të krijojë pasoja juridike nëse kuadri ligjor ndryshon gjatë zbatimit?
Dhe mbi të gjitha, sa e qëndrueshme është skema e investimeve strategjike kur vetë qeveria ka njoftuar se po e rishikon atë?/ E Vërteta.al
- Advertisment -