Autostrada Tiranë-Durrës do të bllokohet përkohësisht në të dyja drejtimet për tre net radhazi, për shkak të punimeve që po zhvillohen në kuadër të projektit për zgjerimin e Superstradës Tiranë-Durrës, Faza III.
Sipas njoftimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), kufizimet do të jenë në fuqi gjatë orëve të natës, nga ora 23:00 deri në 05:00 të mëngjesit. Bllokimi do të aplikohet në të dyja drejtimet e lëvizjes, ndërsa drejtuesit e mjeteve do të duhet të përdorin rrugët alternative.
Ndërhyrja është e lidhur me vijimin e punimeve në mbikalimin e ri të Kasharit. Gjatë tre netëve do të kryhet montimi i trarëve metalikë në hapësirën qendrore të mbikalimit, çka kërkon ndërprerjen e përkohshme të qarkullimit për arsye sigurie.
Për automjetet që lëvizin në drejtim të Tiranës dhe Durrësit do të ketë devijime në rrugët dytësore.
ARRSH ka bërë të ditur gjithashtu se mjetet e rënda, veçanërisht kamionët, do të devijohen që në nyjën e hyrjes së kryeqytetit, për të shmangur krijimin e problemeve në qarkullim gjatë orëve të punimeve.
Ndërkohë, drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë në drejtim të Rinasit, Shkodrës dhe Kosovës do të orientohen përmes mbikalimit Kashar-Thumanë.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve që gjatë këtyre orareve të ndjekin sinjalistikën dhe udhëzimet e policisë rrugore, si dhe të llogarisin kohë shtesë për udhëtimin për shkak të devijimeve.
Bllokimi do të jetë i përkohshëm dhe do të aplikohet vetëm gjatë natës, me qëllim vijimin e punimeve për zgjerimin e Superstradës Tiranë-Durrës.



