Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas rrëzimit të kërkesës së opozitës në Konferencën e Kryetarëve për zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me çështjen e SHISH-it.
Bardhi e cilësoi vendimin e mazhorancës si shmangie të përgjegjësisë së Kuvendit për kontrollin parlamentar mbi institucionet e sigurisë.
“Dënoj bllokimin që mazhoranca i bëri kërkesës për debat. Është e paimagjinueshme që Kuvendi t’i shmanget përgjegjësisë në raport me sigurinë e Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Bardhi.
Sipas tij, çështja nuk duhet të ngatërrohet me hetimin penal që po kryhet nga SPAK. Bardhi tha se drejtësia duhet të vijojë hetimet dhe të çojë përpara përgjegjësisë ligjore personat që mund të kenë kryer vepra penale, ndërsa Kuvendi ka një tjetër rol.
“Çështje e drejtësisë është të çojë pas hekurave dhe para përgjegjësisë ligjore cilindo që ka kryer këtë vepër penale. Kuvendi nuk e ka këtë kompetencë, por ka kompetencën e kontrollit mbi pushtetin ekzekutiv dhe institucionet, përfshirë edhe SHISH-in”, u shpreh ai.
Bardhi shtoi se opozita nuk kërkon të ndërhyjë në punën e SPAK, por kërkon që hetimi të shkojë deri në fund.
“S’kemi punë me hetimin e SPAK, veçse t’i lëmë të bëjnë punën e tyre, t’i nxisim ta çojnë punën deri në fund dhe t’i shkojnë këtij problemi në kokë”, tha kreu i grupit parlamentar të PD-së.
Në fund, Bardhi e drejtoi akuzën politike ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur atë me mënyrën se si, sipas tij, janë përdorur institucionet shtetërore.
“Koka nuk është Vlora Hyseni. Koka e kësaj afere, e kriminalizimit të institucioneve shtetërore dhe e përdorimit të institucioneve shtetërore si mekanizëm mbrojtës ndaj krimit të organizuar është padyshim Rama”, deklaroi Bardhi.



