Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në emisionin “Ekspres” në RTSH ka përjashtuar mundësinë për bashkëpunim me Sali Berishën.
Ai ka ironizuar duke thënë se Berisha udhëheq një fraksion të partisë socialiste dhe këtë e argumentoi duke thënë se i mundësoi Ramës të lirojë të korruptuarit që ka dënuar SPAK-u, të mbyllte listat dhe të miratonte buxhetin pa transparencë.
Basha gjithashtu tha se mosbindja civile është një tallje e madhe e një grupi njerëzish që kanë vënë interesat personale mbi interesat e shqiptarëve.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Sot për sot është e qartë që Sali Berisha udhëheq një fraksion të partisë socialiste, ose më mirë të themi të grupimit të korruptuar të Edi Ramës në partinë socialiste. Aq sa mund të bëjmë çmendurinë e të bashkëpunojmë me Edi Ramën, aq mund të bashkëpunojmë edhe me një si me thënë bashkëpunëtor, një njeri që i mundëson Edi Ramës të lirojë të korruptuarit që ka dënuar SPAK-u.
Që i mundëson Edi Ramës listat e mbyllura, që i mundëson Edi Ramës të zhvillojë jo për herë të parë, por për herë të dytë një proces jo transparent të miratimit të buxhetit gjoja se ka mosbindje civile.
Ku është mosbindja civile? Nuk ka mosbindje civile, kjo është një tallje e madhe. Pra këtu gjërat janë të ndara dhe ata që i kanë ndarë është pikërisht zoti Berisha dhe njerëzit që i shkojnë pas duke vendosur hap pas hapi interesin e tyre personal, mbi interesat e demokratëve, mbi interesat e shqiptarëve.
Kjo është mënyra për t’i shërbyer Edi Ramës, këtë mënyrë kanë zgjedhur dhe sigurisht në këtë mënyrë kanë përjashtuar në mënyrë definitive çdo lloj forme bashkëpunimi jo vetëm me ne, por me të gjithë ata që duan ndryshim.
Ndryshim do të thotë që as Edi Rama, as Sali Berisha nuk kanë më çfarë të japin Shqipërisë, por kanë bërë dhe po vazhdojnë t’i bëjnë dëm njëri Shqipërisë, tjetri kauzës opozitare nuk mund të jenë zgjidhja, sepse mund të jenë vet rënja e problemit.