Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sërish në mbrojtje të ish-presidentit Ilir Meta, i cili u shfaq pak ditë më parë në kafazin e qelqtë gjatë një seance në GJKKO.
Berisha iu referua një prej akuzave të ngritura nga SPAK, që lidhet me përdorimin e dy kartave krediti në emër të një të afërmi të Monika Kryemadhit, çështje që është pjesë e hetimeve ndaj Metës.
Ai tha se nuk po mbron personalisht Metën, por sipas tij, pretendimet e ngritura nuk qëndrojnë dhe nuk mbështeten në prova të sakta.
“Unë nuk bëj avokatin e Metës, por është dërguar letërporosi në SHBA për të hetuar kartat e kreditit, pasi pretendohet se Meta dhe Monika kanë përdorur dy karta krediti të një kushëriri të saj,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, ekzistojnë dëshmitarë dhe fakte që, siç deklaroi ai, tregojnë se Ilir Meta nuk ka përdorur asnjëherë karta krediti, as në Shqipëri dhe as jashtë vendit.
Berisha shtoi se, sipas versionit të tij, kartat janë përdorur nga Monika Kryemadhi dhe jo nga Meta, duke theksuar se lidhja familjare e pretenduar ekziston.
“Mashtrojnë kur thonë se janë përdorur dy karta nga Meta,” deklaroi ai, duke akuzuar organet hetimore për, sipas tij, interpretim të gabuar të fakteve.
Deklaratat e Berishës vijnë në një moment kur çështja ndaj Ilir Meta dhe personave të tjerë të përfshirë vijon të jetë në shqyrtim nga organet e drejtësisë.



