back to top
22.5 C
Tirana
E martë, 5 Maj, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaVettingu në pikëpyetje/ Ervin Metalla fiton në Gjykatën Europiane

Vettingu në pikëpyetje/ Ervin Metalla fiton në Gjykatën Europiane

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka vendosur në favor të ish-gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Ervin Metalla, duke konstatuar se shkarkimi i tij nga sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka shkelur të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare, të garantuar nga Neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Vendimi, i bërë publik më 5 maj 2026, lidhet me procesin e Vettingut ndaj Metalles, i cili ishte shkarkuar nga detyra në vitin 2018 nga institucionet e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri.

Vendimi i Strasburgut

Sipas arsyetimit të gjykatës, shkarkimi i aplikantit nuk është provuar të ketë qenë proporcional me qëllimet legjitime të ndjekura nga autoritetet shqiptare në kuadër të reformës në drejtësi.

“Gjykata ka gjetur shkelje të Nenit 8 sepse shkarkimi i aplikantit nuk u dëshmua të ishte në përpjesëtim me qëllimet legjitime të ndjekura,” thuhet në vendim.

Neni 8 i Konventës garanton të drejtën e çdo individi për respektimin e jetës private dhe familjare, duke lejuar ndërhyrje vetëm kur ato janë të parashikuara me ligj dhe të domosdoshme në një shoqëri demokratike.

Dëmshpërblimi dhe detyrimet për shtetin

Gjykata ka vendosur gjithashtu që shteti shqiptar duhet t’i paguajë Ervin Metalla dëmshpërblim financiar brenda një afati tre mujor. Konkretisht, 20,400 euro për dëme materiale,  6,000 euro për dëme jomateriale si dhe 6,000 euro për shpenzime gjyqësore.

Vendimi është unanim dhe detyron autoritetet shqiptare të ekzekutojnë pagesat brenda afatit të përcaktuar. Pjesa tjetër e kërkesave të ngritura nga ish-gjyqtari është rrëzuar nga gjykata.

Gjithashtu, në vendim theksohet se, në rast se kërkohet nga aplikanti, do të ishte e përshtatshme rihapja e procesit të rivlerësimit dhe rishqyrtimi i çështjes, në përputhje me standardet e Nenit 8.

Rasti i shkarkimit në Shqipëri

Ervin Metalla u shkarkua nga detyra në korrik të vitit 2018 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi u konstatuan probleme në kriterin e pasurisë.

Sipas vendimit të KPK-së, ndaj tij u ngritën dyshime për nënshkrimin e kontratave fiktive dhe përfitimin e një kredie të butë, për të cilën nuk plotësonte kushtet ligjore. Këto veprime u cilësuan si sjellje jo etike për një gjyqtar.

Vendimi i mëvonshëm u la në fuqi edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, duke finalizuar largimin e tij nga sistemi gjyqësor në kuadër të procesit të Vettingut.

Rasti i Metalles nuk është i pari që shkon në Strasburg pas shkarkimeve nga reforma në drejtësi. Më herët, një vendim i ngjashëm është dhënë edhe për ish-prokuroren Antoneta Sevdari, e cila gjithashtu fitoi çështjen e saj në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Vendimi i fundit pritet të ketë ndikim në debatet mbi standardet dhe mënyrën e zbatimit të procesit të Vettingut në Shqipëri, i cili ka qenë një nga shtyllat kryesore të reformës në sistemin e drejtësisë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat