Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë për më 29 prill shqyrtimin e ankimit të Erion Veliaj, i cili kundërshton shfuqizimin e një vendimi të Shkallës së Parë lidhur me pezullimin e afateve të paraburgimit.
Seanca nuk u zhvillua për shkak të një parregullsie në procedurën e njoftimit të të pandehurit, çka detyroi trupën gjykuese të vendosë shtyrjen për të shmangur çdo cenim të vlefshmërisë së procesit.
Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, kritikoi praktikën që, sipas tij, po ndiqet në raste të tilla, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe antikushtetuese.
“Sot ishte njoftuar klienti, por pati një parregullsi në mënyrën e firmosjes së njoftimit. Për të mos rrezikuar vendimin, gjykata vendosi me të drejtë shtyrjen e seancës me disa ditë. Por problemi më i madh mbetet praktika ku, kur mungon një avokat i një të bashkëpandehuri, u pezullohen afatet e paraburgimit të gjithë të pandehurve”, u shpreh ai.
Sipas Ndrecës, kjo praktikë po dëmton të paraburgosurit dhe duhet të rishikohet, pasi mungon një bazë e arsyeshme ligjore për pezullimin kolektiv të afateve.



