KreuAktualitetKronikëNga arrestimi i ish-kreut të SHISH te paraburgimet/ Ku ka dështuar drejtësia...

Nga arrestimi i ish-kreut të SHISH te paraburgimet/ Ku ka dështuar drejtësia sipas Ballës

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se mazhoranca nuk do të komentojë dosjet e personave nën hetim, duke iu referuar edhe arrestimit të ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni.

Nga Kryesia e Kuvendit, Balla tha se Partia Socialiste “nuk është avokate e askujt” dhe se çdo person nën hetim duhet të përballet me drejtësinë dhe të kundërshtojë në gjykatë masat e kufizimit të lirisë. Qëndrimi i tij është në linjë me deklaratat e mëparshme të PS-së pas nisjes së çështjes ndaj Hysenit.

Balla e cilësoi hetimin dhe veprimet e institucioneve të drejtësisë si një tregues të funksionimit të reformës në drejtësi, ndërsa solli si shembull edhe vende të tjera europiane ku, sipas tij, ekzistojnë raste korrupsioni.

“Ngjarjet që ndodhin duhen parë si kulmime pozitive të reformës në drejtësi. Korrupsioni ekziston kudo, edhe në Gjermani, Itali, e rëndësishme është që sot kemi institucione drejtësie që hetojnë dhe u shkojnë deri në fund hetimeve”, tha Balla.

Ai u ndal veçanërisht te përdorimi i masave të kufizimit të lirisë për personat që ende nuk kanë një vendim gjykate. Sipas Ballës, Shqipëria ka një problem të veçantë në këtë drejtim.

“Shqipëria sa i përket pjesës që lidhet me kufizimin e lirisë para vendimeve të gjykatës, duhet t’i japë fund kësaj praktike. Pyesni ChatGPT: Kush është delja e zezë e Europës sa i përket paraburgimit? Dhe do t’ju japë përgjigjen: Shqipëria”, u shpreh ai.

Në një tjetër pjesë të deklaratës, Balla foli për investimin e planifikuar në Zvërnec, duke konfirmuar qëndrimin e mazhorancës se projekti duhet të vijojë. Ai e lidhi projektin me një investim prej 4 miliardë eurosh dhe me ndikimin që, sipas tij, do të ketë në ekonominë shqiptare. Për projektin në Zvërnec, Balla ka deklaruar edhe më herët se ai duhet të realizohet duke respektuar kërkesat mjedisore dhe standardet europiane.

“T’i thuash jo një investimi 4 miliardë euro është e pamundur, është dëm i madh për ekonominë nëse do të ndodhte. S’ka për të ndodhur”, tha kreu i grupit parlamentar të PS-së.

Sipas tij, faza e parë lidhet me blerjen e terrenit, ndërsa institucionet shqiptare do të duhet të garantojnë respektimin e parimeve të mbrojtjes së mjedisit, në përputhje me kapitullin 27 të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Balla deklaroi gjithashtu se mazhoranca synon të përfundojë procesin e negociatave me BE-në deri në Krishtlindjet e vitit të ardhshëm, me synimin që në vitin 2028 të nisë procesi i ratifikimeve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat