Nga Indrit Vokshi
Lotët!
Kam parë shumë njerëz në Tiranë të cilët shpërthejnë në lot kur shohin marshimin e protestuesve. Disa lotojnë në rrugë, disa nga dritaret e apartamenteve ku dalin të përshëndesin. Kjo nuk ka ndodhur kurrë.
Kjo protestë po shihet si një luftë e madhe çlirimtare. Njerëzit po imagjinojnë çlirimin prej dy shef korporatave biznes-krim.
Edi Rama dhe Sali Berisha po përçmohen si fati i zi i Shqipërisë. Po shihen si dy sadistë të cilët kanë dhunuar, janë superpasuruar, kanë shkelur njerëzit, kanë fyer, sillen me arrogancë dhe çdo ditë japin mesazhin se ne jemi bosët, ne iu sundojmë e ju skeni çfarë të na bëni.
Historiku i këtyre të dyve është i errët, i turpshëm, historik i vjedhjes, i grabitjes, i zaptimit, i mbjelljes së urrejtjes, i instalimit të banditizmit si mënyrë jetese, i servilizmit e i besnikërisë qorre në padrejtësi, i premtimit për grabitje të mëtejshme. Ata janë turp dhe poshtërim për Shqipërinë.
Kjo rini e cila po marshon kundër tyre po shihet si emocionuese. Njerëzit po kuptojnë se nuk paskemi vdekur si shoqëri e si komb. Prandaj edhe emocionohen dhe lotojnë. Sepse fyerja, vjedhja dhe poshtërimi e kanë çuar shqiptarin e ndershëm në dëshpërim e në ndjerjen i pafuqishëm. Dhe kur i dëshpëruari kupton se nuk paskemi vdekur si shoqëri e si komb, ai emocionohet dhe loton. Ky është njeriu.
Prej sot ne do të jetojmë për ata të rinj e të reja 20 vjeçarë të cilët duke mos e pranuar padrejtësinë na kanë vendosur para detyrimit për të jetuar për ta.



