KreuAktualitetPolitikaÇfarë ndodhi me kontratën e hemodializës?/ PD kërkon llogari

Çfarë ndodhi me kontratën e hemodializës?/ PD kërkon llogari

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Tenderi afro 50 milionë euro për shërbimin e hemodializës në pesë spitale rajonale është anuluar, pasi kishte arritur deri në shpalljen e fituesit, duke ngritur pikëpyetje të reja mbi mënyrën se si u zhvillua e gjithë procedura.

Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, kërkon që ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, të bëjë publike rezultatet e verifikimit që kishte premtuar në Kuvend, ndërsa kërkon shpjegime edhe për dokumentet e procedurës.

Bëhet fjalë për një kontratë katërvjeçare me fond limit rreth 4.59 miliardë lekë pa TVSH. Procedura u hap më 17 gusht 2026 dhe u zhvillua më 1 shtator. Në garë mori pjesë vetëm një operator, Diaverum AB, i cili më 10 shtator u shpall fitues me një ofertë prej rreth 4.44 miliardë lekësh pa TVSH.

Pak ditë më vonë, procedura u anulua zyrtarisht. Në dokumentacionin e prokurimit, arsyeja e dhënë është konstatimi i “gabimeve ose mangësive të rëndësishme në dokumentet e tenderit”.

Sipas deputetit demokrat, nëse dokumentet e tenderit kishin mangësi të rëndësishme, duhet të sqarohet se si procedura arriti deri në shpalljen e një operatori fitues. Po ashtu, Spahia kërkon shpjegime për mospërputhjen që, sipas tij, ekziston mes dokumenteve të procedurës dhe arsyetimit të anulimit.

Një tjetër pikë e ngritur nga PD është fakti se në një kontratë me vlerë mbi 50 milionë euro mori pjesë vetëm një kompani. Mungesa e konkurrencës ishte ngritur edhe më herët në debatet parlamentare, ndërsa ministrja Spahiu kishte deklaruar se do të kryhej një auditim dhe se më pas do të merreshin vendimet përkatëse.

Çfarë ndodhi me fituesin?

Diaverum AB nuk është një emër i ri në shërbimin e hemodializës në Shqipëri. Kompania suedeze bleu në vitin 2019 shoqërinë DiaVita, e cila që prej vitit 2016 ofronte shërbimin e hemodializës në Shkodër, Lezhë, Vlorë, Korçë dhe Elbasan. Vetë Diaverum konfirmon se blerja e DiaVita-s u realizua në vitin 2019.

Të dhënat e regjistrit të shoqërive tregojnë gjithashtu se përpara transferimit te Diaverum, Spitali Amerikan zotëronte 15% të DiaVita-s, ndërsa pjesa tjetër kontrollohej nga Evita. Më 30 shtator 2019 kuota e shoqërisë iu transferua Diaverum International AB.

Ky historik është rikthyer në debatin politik për tenderin e ri. PD ka kërkuar që të hetohen lidhjet historike të operatorit me strukturat që kanë qenë më parë të përfshira në koncesionin e hemodializës, ndërsa sipërmarrësi Klodian Allajbeu ka deklaruar publikisht se koncesioni është shitur prej vitesh dhe se ai apo kompanitë e lidhura me të nuk do të marrin pjesë në procedurat e reja.

PD: Ministrja duhet të publikojë verifikimin

Bardh Spahia kërkon që ministrja Spahiu të bëjë publike konkretisht se cilat ishin gabimet e konstatuara në dokumentet e tenderit, kush i ka miratuar dhe kush mban përgjegjësi për faktin që procedura vazhdoi deri në shpalljen e fituesit.

Deputeti demokrat kërkon gjithashtu shpjegime për dokumentin e shpalljes së operatorit të suksesshëm dhe arsyen pse, sipas tij, ky dokument nuk gjendet më në dosjen e publikuar në sistemin e prokurimit.

Në deklaratën e tij, Spahia kërkon që ministrja të publikojë vendimin e arsyetuar për anulimin, përfundimet e auditimit të paralajmëruar në Kuvend dhe planin për vazhdimësinë e shërbimit të hemodializës.

Për PD-në, çështja nuk lidhet vetëm me procedurën e prokurimit, por edhe me sigurinë e pacientëve që marrin trajtim të rregullt me hemodializë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat