Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Lartë për masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim.
Sipas vendimit, Gjykata Kushtetuese vlerëson se Gjykata e Lartë nuk ka kryer një shqyrtim të plotë kushtetues lidhur me vazhdimin e paraburgimit të Veliajt, duke mos analizuar nëse masa e sigurisë ishte e nevojshme dhe proporcionale, nëse ekzistonin alternativa më pak kufizuese, si dhe pasojat që sjell pamundësia e ushtrimit të mandatit të kryebashkiakut të zgjedhur.
Në vendim thuhet gjithashtu se nuk janë trajtuar në mënyrë të plotë pretendimet kushtetuese të ngritura nga mbrojtja lidhur me procesin gjyqësor.
Një nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese ka dhënë një mendim paralel, ku vlerëson se provat mbi të cilat u mbështet masa e paraburgimit nuk arrijnë të krijojnë dyshimin e arsyeshëm të kërkuar nga Kushtetuta për justifikimin e kësaj mase.
Sipas këtij mendimi, prokuroria është mbështetur në fakte që lidhen me ushtrimin normal të detyrës së kryebashkiakut dhe që, sipas gjyqtarit, nuk do të bindnin një vëzhgues objektiv për ekzistencën e veprave penale të pretenduara.
Gjykata Kushtetuese evidenton gjithashtu shqetësime lidhur me trajtimin e Veliajt gjatë procesit gjyqësor, përfshirë përdorimin e kafazit prej xhami, kufizimet në komunikimin me mbrojtësit dhe nevojën për respektimin e prezumimit të pafajësisë dhe të drejtës për mbrojtje efektive.
Pas vendimit, këshilltari kryesor ndërkombëtar i Veliajt, Daniel J. Fetterman, e cilësoi vendimin si një konfirmim të mangësive kushtetuese në trajtimin e çështjes, duke deklaruar se pret që Gjykata e Lartë, pas rishqyrtimit, të arrijë në përfundimin se vazhdimi i paraburgimit nuk mund të mbështetet kushtetueshmërisht.
Veliaj “përplas” gjyqtarët e Kushtetueses/ Kush ishte pro dhe kush kundër?



