Projektligji për ndryshimin e statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ndodhet në Kuvend mes kundërshtimeve të Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa opozita kërkon tërheqjen e tij. Në qendër të debatit është formula e re e pagave dhe mënyra se si Kuvendi po zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
Drafti parashikon një rritje prej 2% të pagës referuese, rreth 8,500 lekë. Kjo formulë është dukshëm më e ulët se ajo që kishin përllogaritur më herët Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të cilët kishin përcaktuar një pagë referuese prej 222 mijë lekësh, plus 14 mijë lekë për kualifikimin, si dhe trajtimin e diferencave të krijuara në periudhën e mëparshme.
Debati nuk nis me këtë projektligj. Në shkurt të këtij viti, Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 15/2026, shfuqizoi formulën e mëparshme të pagave dhe i la Kuvendit afat deri më 31 korrik për të miratuar një zgjidhje të re. Kushtetuesja përcaktoi gjithashtu mekanizmin që do të zbatohej në rast se Kuvendi nuk do të ndërhynte brenda afatit.
Afati përfundoi pa një ligj të ri. Në gusht, KLGJ dhe KLP miratuan vendime për zbatimin e formulës që, sipas tyre, rrjedh nga vendimi i Kushtetueses. Kjo solli një tjetër konflikt, pasi pagat e llogaritura sipas kësaj formule u kundërshtuan në zbatim nga strukturat financiare.
Kundërshtimi i Gjykatës së Lartë
Gjykata e Lartë nuk kundërshton nevojën që Kuvendi të ndërhyjë me ligj. Problemi, sipas saj, është mënyra se si është hartuar dhe konsultuar drafti.
Në qëndrimin e saj të 16 shtatorit, Gjykata e Lartë thotë se përfaqësuesit e gjyqësorit janë njoftuar më pak se dy orë para paraqitjes në Komisionin e Ligjeve dhe se nuk u janë vënë në dispozicion të gjitha amendamentet që ndryshonin tekstin e projektligjit. Ajo kërkon gjithashtu që të bëhet publik opinioni financiar i qeverisë dhe që gjyqësorit t’i jepet mundësia të shprehet për variantin përfundimtar.
Pika më e fortë e kundërshtimit lidhet me vendimin e Kushtetueses. Gjykata e Lartë argumenton se nuk mjafton që në ligj të përmendet formalisht vendimi nr. 15/2026, por duhet të respektohet edhe arsyetimi i tij dhe standardet që ai ka vendosur për pagën e magjistratëve.
Sipas Gjykatës së Lartë, ndërhyrja e Kuvendit duhet të garantojë një sistem page objektiv, të parashikueshëm dhe të qëndrueshëm, duke ruajtur edhe hierarkinë e pagave brenda sistemit të drejtësisë. Për këtë arsye, ajo i ka kërkuar Kuvendit të mos e miratojë projektligjin në formën aktuale.
Edhe Prokuroria e Përgjithshme kundër draftit
Prokuroria e Përgjithshme i ka përcjellë Kuvendit qëndrimin e saj zyrtar, duke vlerësuar se projektligji, në formën aktuale, nuk garanton zbatimin e plotë dhe efektiv të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Prokuroria ngre gjithashtu shqetësimin se formula krijon diferenca të pajustifikuara dhe jo harmonike mes niveleve të ndryshme të gjykatave dhe prokurorive.
Një tjetër problem i evidentuar është vetë procesi i konsultimit. Prokuroria thotë se nuk i është dërguar zyrtarisht një draft për konsultim dhe se vlerësimin e saj e ka bërë mbi versionin e publikuar nga Kuvendi dhe diskutimet publike.
Çfarë kërkon sistemi i drejtësisë?
KLGJ dhe KLP kanë ndjekur një tjetër llogaritje, duke vendosur pagën referuese në 222 mijë lekë dhe 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin. Kjo lidhet me interpretimin e tyre të vendimit të Kushtetueses dhe me formulën që, sipas tyre, duhet të zbatohet pas skadimit të afatit të lënë Kuvendit.
Pra, në thelb, debati nuk është vetëm për një rritje page prej disa mijëra lekësh. Përballë janë dy mënyra të ndryshme të leximit të vendimit të Kushtetueses: njëra e ndjekur nga organet e qeverisjes së drejtësisë dhe tjetra e reflektuar në draftin që po shqyrton Kuvendi.
Përplasja politike
Çështja është zhvendosur edhe në sallën e Kuvendit. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi tërheqjen e projektligjit dhe vijimin e konsultimeve me institucionet e drejtësisë. Sipas tij, miratimi i draftit në këto kushte rrezikon një tjetër përplasje me Kushtetutën. Kërkesa e opozitës u rrëzua me 36 vota pro dhe 79 kundër.
Nga mazhoranca, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla e cilësoi kërkesën e PD-së “hipokrizi” dhe kërkoi miratimin e projektligjit, duke argumentuar se kjo do të zhbllokojë pagesat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Projektligji pritet të votohet në seancën e sotme plenare.
Pagat e magjistratëve/ Prokuroria e Përgjithshme “refuzon” projektligjin, zbardhen kundërshtimet



