Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale sjellin rregulla të reja edhe për mënyrën se si autoritetet mund të aksesojnë të dhënat e telefonave të sekuestruar gjatë një hetimi.
Një nga propozimet e prezantuara nga Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, lidhet drejtpërdrejt me telefonin personal. Sipas paketës së re, sekuestrimi i një telefoni nuk do të nënkuptojë akses të pakufizuar të autoriteteve në të gjitha të dhënat që ndodhen në pajisje.
Aksesi do të përcaktohet nga gjykata. Autoritetet do të mund të marrin vetëm të dhënat që autorizohen në mënyrë konkrete nga gjykata.
Kjo prek një nga çështjet më të ndjeshme të hetimeve penale, pasi telefonat celularë mund të përmbajnë komunikime, fotografi, dokumente, të dhëna personale dhe materiale të tjera që nuk lidhen domosdoshmërisht me veprën penale që po hetohet.
Sipas ministrit, synimi i ndryshimit është që të vendosen kufij më të qartë për aksesin në të dhënat personale gjatë procedimit penal. Gogu ka deklaruar se rregullat e reja do të jenë të njëjta për këdo që përballet me drejtësinë.
Përgjimet?
Përgjimi i komunikimeve është aktualisht një nga mjetet e parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale për hetimin e veprave të caktuara penale. Ligji përcakton rastet kur mund të autorizohet përgjimi i komunikimeve telefonike dhe formave të tjera të komunikimit, ndërsa vendimi për përgjimin merret nga gjykata në kushtet e përcaktuara nga ligji.
Ndryshimet e reja vendosin në një paketë më të gjerë edhe çështjen e mbrojtjes së të dhënave personale, së bashku me administrimin e provave dhe të drejtat e palëve gjatë hetimit. Ministri Gogu ka deklaruar se paketa synon të forcojë garancitë procedurale dhe të përcaktojë më qartë mënyrën se si përdoren provat gjatë procesit penal.
Në këtë mënyrë, paketa e re prek disa prej mjeteve më të përdorura gjatë hetimeve: nga sekuestrimi dhe kontrolli i telefonave, te administrimi i provave dhe regjistrimi i marrjeve në pyetje.
Projekt-Kodi është ende në fazën e konsultimit dhe ndryshimet nuk janë ende rregulla përfundimtare. Vetë Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se procesi i hartimit është në zhvillim dhe se projekt-Kodi do t’i nënshtrohet konsultimit publik.



