back to top
26.6 C
Tirana
E shtunë, 13 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetPolitika“Nuk ka projekt” apo investim 4 miliardësh?/ Deklaratat e Ramës në 24...

“Nuk ka projekt” apo investim 4 miliardësh?/ Deklaratat e Ramës në 24 orë, që ngrejnë pikëpyetje

Brenda një harku 24-orësh, Kryeministri Edi Rama ka artikuluar një seri deklaratash publike dhe politike për projektin e zhvillimit në zonën e Zvërnecit, të shoqëruara nga protesta të përsëritura dhe debat të gjerë publik, duke krijuar një linjë komunikimi me mesazhe të ndryshme në kohë të shkurtër.

Deklarata e parë, me Grupin Parlamentar të PS-së

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama reagoi pas incidentit gjatë protestës kundër projektit, ku një protestues u tërhoq me forcë nga siguria private.

Ai e cilësoi ngjarjen të papranueshme dhe shprehu mirëkuptim për reagimin e qytetarëve.

“Ju kuptoj shumë mirë. Po të isha në vendin tuaj, edhe unë do revoltohesha dhe do rreshtohesha kundër qeverisë”, deklaroi Rama.

Në të njëjtën fjalë, Kryeministri kritikoi mënyrën e ndërhyrjes së sigurisë private dhe kërkoi ndëshkim për përgjegjësit.

Në këtë kontekst, ai përmendi edhe ndikimin e dezinformimit publik rreth projektit, duke deklaruar se presioni dhe reagimet e forta e kishin bërë të mendonte edhe mundësinë e tërheqjes, si reflektim personal për situatën e krijuar.

Deklarata e dytë, reagimi pas protestës në Tiranë

Pas protestës së dytë të madhe në Tiranë, Rama reagoi në rrjetin social X, duke mohuar ekzistencën e një projekti të gatshëm për anulim.

Ai deklaroi se projekti ndodhet ende në fazë hartimi dhe po zhvillohet nga pesë studio ndërkombëtare arkitekturore: Kengo Kuma, Bjarke Ingels Group, Jean Nouvel, Emre Arolat dhe K-Studio.

“Ma sillni projektin dhe e anulojmë. Por nuk ka projekt për t’u anuluar, sepse është në proces pune”, u shpreh ai.

Në të njëjtin reagim, Kryeministri hodhi poshtë pretendimet për lidhje të investimit me aktorë të tjerë, duke i cilësuar si dezinformim dhe propagandë, ndërsa theksoi se investitorët janë partnerë amerikanë dhe përfaqësues nga Katari.

Ai e përshkroi projektin si një investim të madh turistik me karakter strategjik për zhvillimin e Shqipërisë.

Deklarata e tretë, sot në konferencën me Antonio Costa

Në konferencën e përbashkët me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, Rama theksoi se çdo projekt në zona të ndjeshme natyrore duhet të jetë në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Europian.

“Si mund të bëjmë një projekt dhe të mos respektojmë standardet e BE-së? Nuk kemi alternativë tjetër përveç integrimit europian”, deklaroi ai.

Ai shtoi se zhvillimi i projektit synon krijimin e një modeli turistik modern dhe të qëndrueshëm, në përputhje me rregullat mjedisore dhe institucionale të BE-së.

Deklaratat janë zhvilluar paralelisht me protesta të përsëritura në Tiranë, të cilat kanë rritur presionin publik mbi projektin.

Debati është përqendruar në ndikimin mjedisor, transparencën e investimit dhe mënyrën e komunikimit institucional, ndërsa qeveria e ka mbrojtur projektin si pjesë të strategjisë së zhvillimit ekonomik.

Por, brenda 24 orëve, qëndrimi publik i Kryeministrit ka kaluar në disa pozicione të dallueshme, duke filluar nga reflektimi për tërheqje, te mohimi i një projekti të finalizuar, dhe më pas prezantimi i tij si investim strategjik i lidhur me standardet e Bashkimit Europian.

Kjo seri deklaratash ka intensifikuar debatin publik mbi qartësinë e komunikimit institucional dhe natyrën reale të projektit në Zvërnec, duke e kthyer çështjen në një nga temat më të nxehta politike dhe publike të momentit./ E Vërteta.al

Përplasjet për Zvërnecin, Rama artikulon “dorëheqjen”/ Ia lë topin Policisë së Shtetit dhe asaj private

Rama mbron projektin në Zvërnec/ Kush është investitori?

Rama thirrje shqiptarëve: Zgjidhni me mua ose me Arlind ‘dritëgjatin’

Nga dhuna te pronat/ Pse “Zvërneci” e detyroi Ramën të flasë për dorëheqjen

Rama reagon pas protestës/ “Ma sillni projektin dhe e anulojmë”

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat