back to top
6.5 C
Tirana
E martë, 3 Dhjetor, 2024
spot_img
KreuAktualitetBotaNdikimi i shtetasve të rinj amerikanë tek zgjedhjet

Ndikimi i shtetasve të rinj amerikanë tek zgjedhjet

Jeff Swicord

Rreth 3.5 milionë persona në moshë madhore janë bërë shtetas amerikanë që nga zgjedhjet e vitit 2020, sipas të dhënave të Partneritetit Kombëtar për Amerikanët e Rinj. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Aline Barros, disa ekspertë mendojnë se ky grup në rritje mund të rezultojë vendimtar për rezultatin e zgjedhjeve.

Silvina Guedes është një shtetase e re amerikane. Ceremonia për marrjen e shtetësisë u mbajt në Mount Vernon, në shtëpinë e Presidentit të parë të Shteteve të Bashkuara, George Washington.

“Kam jetuar këtu prej shumë vitesh. Pra, përse të mos bëhesha shtetase amerikane? Tashmë statusi im është i përcaktuar”, i tha zonja Guedes Zërit të Amerikës.

Ajo e ka origjinën nga Portugalia, ka jetuar në Shtetet e Bashkuara prej mbi dy dekadash dhe do të votojë për herë të parë këtë nëntor.

“E ndjek politikën nëpërmjet radios dhe televizionit. I ndjek edhe debatet. Madje, debatin e fundit e ndoqa në kanalin televiziv Univision në gjuhën spanjolle. Për mua është e rëndësishme pasi mësoj për idetë e tyre dhe se çfarë mendojnë të bëjnë”, i tha ajo Zërit të Amerikës.

Ekspertët thonë se këta votues të rinj mund të luajnë një rol vendimtar në zgjedhjet presidenciale në nëntor, në veçanti në shtetet e pavendosur.

Mbi 600 mijë shtetas të rinj amerikanë gjenden në Xhorxhia, sipas të dhënave të projektit “Rock the Naturalized Vote”. Gati 400 mijë janë në Miçigan dhe gati 465 mijë në Arizona.

“Në një shtet si Arizona, njerëzit që janë bërë shtetas të rinj, në tetë apo nëntë vitet e fundit, përbëjnë rreth 2% të elektoratit. Dhe Arizona pati rezultat shumë të ngushtë në zgjedhjet e vitit 2020”, i tha Zërit të Amerikës, Manuel Pastor, drejtues i këtij projekti në Universitetin e Kalifornisë së Jugut.

Në rang kombëtar vlerësohet se rreth 3.5 milionë persona në moshë madhore janë bërë shtetas amerikanë që nga zgjedhjet e vitit 2020, sipas të dhënave të Partneritetit Kombëtar për Amerikanët e Rinj.

Zoti Pastor thotë se shtetasit e rinj kanë tendencën të angazhohen më shumë politikisht kur tematika e emigracionit dominon debatin politik.

“Atëherë shtetasit e rinj angazhohen më shumë pasi janë personalisht të interesuar për çështjen”, thotë ai.

Ntama Bahati e ka origjinën nga Republika Demokratike e Kongos.

“Mbërrita në Shtetet e Bashkuara në 6 shtator 2001 dhe ende më kujtohet momenti. Ishte ora 3 e pasdites në Çikago”, thotë ai.

Zoti Bahati u bë shtetas në vitin 2017 dhe votoi për herë të parë në vitin 2020.

“Kur bëra intervistën për shtetësinë, mu ofrua mundësia për t’u regjistruar si votues. Ishte si një ëndërr momenti kur punonjësit e shërbimit të emigracionit më thanë që tashmë mund të votoja. U thashë, vërtet? Dhe e plotësova formularin menjëherë”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Ekspertët thonë se shtetasit e rinj amerikanë kanë tendencën për ta marrë seriozisht përgjegjësinë e tyre të re qytetare dhe se këta amerikanë të rinj mund të jenë vendimtarë për rezultatin e zgjedhjeve në shtetet e pavendosur.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat